Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashPolitikëTe FunditTe Gjitha

Reforma zgjedhore, “Zëri i Amerikës”: Nuk zgjidh financimin kriminal dhe administrimin e votës

Reforma zgjedhore në Shqipëri për të cilën palët politike së fundi arritën një marrëveshje, shihet nga ekspertët si përpjekje për arnime që nuk i jep zgjidhje problemeve të vjetra, si financimit kriminal në fushatë, shitblerjes apo administrimit të votës. Partitë e mëdha thonë ata kanë prodhuar gjithnjë rregulla në favor të tyre, dhe se partitë e vogla i kanë përdorur për shtim artificial votash, ose iu kanë ngushtuar hapësirat për futjen e tyre në parlament.

Votimi i imigrantëve një premtim kryesisht i së majtës prej 15 vitesh, edhe në zgjedhjet e ardhshme duket se nuk do te realizohet pasi analistët thonë se shumica qeverisëse s’ka asnjë strategji dhe draft konkret. Materiali u përgatit për Zërin e Amerikës nga gazetarja Mimoza Picari.

Reforma zgjedhore në Shqipëri për të cilën palët politike së fundi arritën një marrëveshje, shihet nga ekspertët si përpjekje për arnime që nuk i jep zgjidhje problemeve të vjetra, si financimit kriminal në fushatë, shitblerjes apo administrimit të votës. Partitë e mëdha thonë ata kanë prodhuar gjithnjë rregulla në favor të tyre, dhe se partitë e vogla i kanë përdorur për shtim artificial votash, ose iu kanë ngushtuar hapësirat për futjen e tyre në parlament. Votimi i imigrantëve një premtim kryesisht i së majtës prej 15 vitesh, edhe në zgjedhjet e ardhshme duket se nuk do te realizohet pasi analistët thonë se shumica qeverisëse s’ka asnjë strategji dhe draft konkret.

Reforma zgjedhore për të cilën palët politike në Shqipëri arritën një marrëveshje së fundi, nëse miratohet do të jetë 12 në listën e reformave zgjedhore që janë kryer, që prej marrëveshjes së vitit 1991, që kishte në thelb shtyrjen e zgjedhjeve, amendimin e Ligjit të Zgjedhjeve dhe plotësimin e vendeve në KQZ. Edhe sot pas thuajse 3 dekadash, palët vazhdojnë të kërkojnë garanci që vota e saj nuk do preket, dhe se kjo për ekspertët nuk përbën progres.

“Gjithë administrimi zgjedhor dhe reforma zgjedhore në Shqipëri nuk janë bërë realisht reforma që zgjerojnë demokracinë dhe garantojnë lirinë e votës dhe sistemin përfaqësues, se sa janë reforma për të krijuar besim tek palët e caktuara politike”- thotë Afrim Krasniqi, Instituti i studimeve politike.

Analistët mendojnë se marrëveshja e fundit mes shumicës qeverisëse dhe opozitës, nuk i kuron problemet e vërteta të zgjedhjeve në Shqipëri, duke filluar nga shitblerja e votës apo financimet kriminale në fushatë.

“Përjashto identifikimin biomterik që shmang votimin familjar, pjesa tjetër në substancë nuk ka asnjë ndryshim, duke filluar që nga administrimi zgjedhor i politizuar, KQZ-ja bipartiatke dhe elementë të tjerë, si shitbblerja e votës, apo financimet kriminale në fushata zgjedhore”- shprehet Roland Lami analist.

Politologët thonë se pakti i fundit politik për reformën zgjedhore nuk i ka dhënë zgjidhje dhe ligjit të partive politike i cili bie ndesh me Kodin zgjedhor. “Dy partitë kryesore prodhojnë rregulla që në vetvete u japin atyre një lloj avantazhi krahasuar me të tjerat, ndërtojnë një realitet të ri politik, e interpretojnë atë dhe janë gati t’i ndryshojnë sërish rregullat në momentin kur mendojnë që të dy palët sërish përfitojnë”- thotë Blendi Çeka, analist.

Duke ju kthyer historisë së ndryshimeve të sistemeve zgjedhore në afro 3 dekada analistët konstatojnë se Shqipëria është nga vëndet e vetme në Europë që ka ndryshuar të gjitha sistemet. Nga maxhoritar i pastër në maxhoritar të korrektuar me proporcional, që solli mjaft probleme duke maksimalizuar në mënyrë fiktive votat e partive të vogla në shërbim të partive të mëdha, përmes skemës që mori emrin e fshatit ku u aplikua për herë të parë “Dushk” në zgjedhjet e 2001-it. Më pas në 2005-ën kjo skemë u aplikua në mënyrë masive. Sot kemi një sistem proporcional rajonal të miratuar në 2008-ën, shumë i kritikuar se favorizon partitë e mëdha.

“Ideja ishte e asaj periudhe ishte të krijonim një sistem ku elitat të vijnë në parlament, dhe praktikisht ne bazuam gjithë sistemin tek vullneti i liderëve politikë dhe gatishmëria e tyre, për të na prodhuar një parlament elitar. Koha tregoi që në parlament na hynë një numër kriminelësh, hynë një numër rekord biznesmenësh. Shqipëria është rekord për numrin e biznesmenëve të tranzicionit të futur në parlament dhe kështu ra niveli i përfaqësimit parlamentar”- thotë Afrim Krasniqi, Instituti i studimeve politike.

Analistët shohin dhe një tjetër rrezik në sistemin aktual që nuk lë hapësirë për konkurimin e partive të reja apo të vogla jashtë koalicioneve. “Dy partitë kryesore riciklojnë veten përmes ligjeve apo sistemeve që dakortësojnë bashkë. Kjo na nxjerr në pah një dukuri që ndryshe në politologji njihet si dhuna e shumicës”- shprehet Roland Lami, analist. Që prej vitit 2004 kur LSI u krijua si rrjedhje nga partia socialiste në pushtet aso kohe, asnjë parti e re nuk është bërë pjesë e parlamentit.

“Ne kemi 4 raste në 2013-ën dy parti FRPD dhe Aleanca Kuq e Zi, në 2017-ën kemi dy parti të tjera, SFIDA dhe LIBRA, të cilat kanë konkuruar si subjekte kontrastuese me atë ç’ka konsiderohej estabilishmenti politik, dy partitë e mëdha, dhe të katërta partitë kanë marrë zero mandate”- vijon Blendi Çeka, analist.

Aktualisht partitë opozitare ne parlamentar kërkojnë ndryshimin e sistemit në proporcional kombëtar me lista të hapura, një debat për të cilin mazhoranca sugjeron të diskutohet në një moment të dytë. Ekspertët thonë se listat e hapura rrisin mundësinë e përfaqësimit të partive të vogla në kuvend, konkurencën brenda partisë, por nuk shmangin hyrjen e të fortëve në parlament dhe trafikun e votave sepse vullneti politik mbizotëron në çdo sistem.

“Shqipëria është ndër vendet e pakta në Europë që e ka sistemin zgjedhor të përcaktuar në kushtetutë. Kjo do të thotë se duhen ndryshime kushtetuese dhe për t’i bërë ato duhen më shumë se 92 vota, duhet një vullnet politik dhe interesa të mëdha nga pas dhe asnjëra nga palët politike nuk ka interesa të tilla”- thotë Afrim Krasniqi, Instituti i studimeve politike.

Votimi i emigrantëve një premtim sidomos i së majtës që në 2004-ën ende nuk është bërë realitet. Kjo temë e nxehtë edhe tani i është adresuar për zgjidhje, nga faktori politik, KQZ, pasi vetë palët, nuk kanë draft konkret, strategji, database të emigrantaëve, sipas eskpertëve njohës të kësaj fushe. Problemi tjetër që shohin ata lidhet me administrimin e votës së emigrantëve, në kushtet kur në Shqipëri përballë kamerave, vëzhguesve ndërkombëtarë, dhe përfaqësive diplomatike në disa raste, ky admnistrim ka patur probleme serioze.

“Marr parasysh gjithë këtë dyshimin e zankoshëm që ne kemi ose partitë kanë për menaxhimin e një proçesi normal brenda Shqipërisë. Të mos harrojmë që bëhet fjalë për 1 milion e 600 mijë vota që duan dy javë e gjysmë për t’i numëruar dhe për të dalë një rezultat i kontenstuar. Përfshirja e emigrantëve është një diskutim që duhet bërë por besoj se ne jemi gati për zgjedhjet e ardhshme”-shprehet Blendi Çeka, analist

Ekspertët vërjejnë se marrëveshja e fundit mes shumicës qeverisëse dhe opozitës, solli disa të mira përtej teknikaliteteve zgjedhore, si afrimin e opozitës me institucionet që pas djegies së mandateve në shkurt të 2019-ës, apo dhe kurimin e imazhit të qeverisë përballë Brukselit dhe Uashingtonit. Por shqetësimi real sot vazhdon të mbetet i njëjtë si afro 30 vjet më parë, dhe ai lidhet me administrimin e votës, një çështje që ende s’ka marrë zgjidhje./VOA

Fjalët Kyce

Mendoni se duhet të hapen listat e partive dhe të ndalohen koalicionet parazgjedhore?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *