Ish-deputeti Zef Bushati ka folur për Reformën Zgjedhore duke thënë se partitë e mëdha u ulën sërish në tryezë pas presionit të ndërkombëtarët që ta mbyllin deri në datën 31 maj. Në një intervistë për “Fax News”, thekson se partitë e mëdha nuk i pyesin fare ndërkombëtarët e as dëgjojnë zërin e ekpertëve.
“Më shumë kemi punuar ne që kemi parti të vogla, se sa parti të mëdha. Kemi ulur tryeza, kemi ngritur drafte. Nuk u kalua fare, edhe pse u bë një spektakël për ndryshimet e ligjit zgjedhor. Gjatë 4 viteve që bëjmë përpjekje, rezultati është 0. Është bërë sikur është mbledhur komisioni parlamentar PD-PS, të dyja nuk kanë vullnetin politik për të bërë Reformën Zgjedhore, pastaj rinisi, të nxitur nga ndërkombëtarët.
Akoma mendoj që jemi në rezultatin 0 sepse ndërkombëtarët i thonë PD-PS që duhet të respektojnë datën që kanë caktuar. Them që jemi akoma në pikën 0 se nuk ka vullnet politik, jam i vjetër në këtë fushë, është në ligj tepër i politizuar. Në asnjë vend të Europës nuk është që dy partitë kryesore të administrojnë procesin zgjedhor, të ndajnë komisionin qendror të zgjedhjeve me anëtar midis tyre, të gjitha të tjerat me radhë janë mes PD-PS, tek tuk edhe LSI. Këta nuk pyesin ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët kanë thënë që komisioni duhet të depolitizohet, duhet të departizohet. Por nuk i intereson. Ka ndodhur në botë që një parti e vogël ka shpërthyer, njerëzit pas 30 viteve janë të mërzitur dhe nuk kanë dëshirë të madhe që vitet e ardhshme ti qeverisë PD apo PS. Unë mendoj se kjo punë ende nuk ka arritur të futet në rekomandimet që kanë dhënë ndërkombëtarët.
Unë e mendoj një amulli, një hipokrizi kur dëgjoj përfaqësuesit e PD që thonë “Do ndryshojë Kushtetuta, nuk është garë e vërtetë. Nëse listat hapen, cfarë ndodh, ndodh që të plasë korrupsioni.” Cfarë janë këto? Me kë tallesh? Pra është një situatë jashtëzakonisht e vështirë për tu zbërthyer, zëri i specialistit nuk dëgjohet fare”, tha Bushati.(A.M/Faxweb.al)