Prokuroria e Tiranës ka derguar në Gjykatë kërkesën për tre kontrolloret e arrestuar dje. Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre kontrollorëve do te mbahet mengjesin e së shtunës në orën 8:30.
FaxNews ka zbardhur dosjen e Prokurorise. Për Flora Ndrecajn Prokuroria kërkon “arrest shtëpie”, ndërsa për dy kontrollorët e tjerë Armando Fezga dhe Muhin Mezini, prokuroria kërkon “arrest me burg”.
Fillimisht, 24 kontrollorë u shoqeruan në ambientet e Policisë së Tiranës, por vetëm tre prej tyre mbeten në burg, të cilët akuzohen si organizatorët e bllokimit të punës në Aeroportin e Rinasit pas pezullimit të punës nga 60 kontrollorët e Albcontrol të martën në mbrëmje.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Kryeministri Edi Rama reagon ashpër pas pezullimit të punës nga ana e kontrollorëve të cilët ishin të pakënaqur me reduktimin e pagave të tyre me 70%, si dhe me shkarkimin e 5 prej tyre në mënyrë të papritur.
Rama dhe Balluku e quajtën një grusht shteti protestën e kontrollorëve, duke shkuar dhe më tej madje teksa u shprehen se ish-Kryeministri Berisha dhe Presidenti Ilir Meta qëndrojnë pas këtij bllokimi të aeroportit.
(E.H/Faxweb.al)