Ambasadorja e ShBA, Yuri Kim ka reaguar ndaj deklaratës së Bashës për Zgjedhoren duke thënë: “Mirëpresim vendimin e Bashës për të përfunduar reformën. Presim që liderët e tjerë të tregojnë këtë lidership të ngjashëm.”
Pak më parë, në një deklaratë për mediat, kryetari i PD, Lulzim Basha u shpreh se PD është e gatshme që të japë kontributin e saj për të përfunduar sa më parë Reformën Zgjedhore. Basha tha se PD do të ulet njëherë e më parë në tryezën e Reformës Zgjedhore, ndërsa theksoi se zgjedhjet e lira do t’i japin fitore plebishitare partisë që ai drejton.
“Jemi të angazhuar plotësisht në përfundimin njëherë e mirë të Reformës zgjedhore që mund tiu japim më në fund shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama duhet të largohet një orë e më parë përmes një vote plebishitare.
Unë nuk e di se cili në televizionin tuaj ka guximin të thojë se opozita duhet të ulej në tryezë pak orë pas aktit të shembjes së Teatrit, por opozita nuk e ka braktisur në asnjë rast tryezën e Reformës Zgjedhore. Nuk ka njeri që nuk e kupton këtë, që ne nuk mund të uleshim në tryezë në një kohë kur deputetët tanë po rriheshin shqiptarët në rrugë”, tha Basha.
Sa i takon lajmeve të dala në media, për një propozim të ambasadores amerikane për ndryshimin e sistemit, dhe për të aplikuar në vendin tonë modelin danez, Basha e tha prerë se nuk ka asnjë vendim të tillë. Basha tha se në fillim duhet të rrëzohet me votë Edi Rama, dhe pas kësaj të bëhet dhe ndryshimi i sistemit, sipas interesit dhe të qytetarëve.
“Nuk ka asnjë propozim dhe e kam thënë dhe dy ditë më parë, që nuk ka asnjë propozim amerikan,. Të rrëzojmë me votë Edi Ramën, dhe pas kësaj të vendosim për sistemin që është në të mirë të shqiptarëve.”, tha Basha në fjalën e tij.