Ambasadorja amerikane në Tiranë, ka reaguar sërish në lidhje me kandidimin e Tom Doshit në zgjedhjet e 25 Prillit. Përmes një postimi në Twitter, larg gjuhës diplomatike dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ambasadorja ka kërkuar nga Partia Socialiste, që ashtu sikurse PD dhe të tjerët, të kërkojë largimin e deputeit Tom Doshi nga gara dhe mos t’i bëjë njerëzit të besojnë se ata janë aleatë.
“Vërejmë se Partia Demokratike e Shqipërisë dhe të tjerët nuk duan në Parlament dikë të prekur nga korrupsioni. Të tjerëve: Nga çfarë keni frikë? A është e “dobishme” të heshtësh? Pse i lini njerëzit të mendojnë se jeni “aleatë”? A është kjo ajo që mendoni se e meritojnë votuesit? Meritojnë më mire”, shkruan Yuri Kim në Tëitter.
Gjithashtu ambasadorja ka ripostuar dhe një reagim të Departamentit të Shtetit të vitit 2018 ku deputetit Tom Doshi i ndalohej hyrja në ShBA.
Postimi i Departamentit të Shtetit i vitit 2018: Departamenti po përcakton publikisht Anëtarin e Parlamentit të Shqipërisë Tom Doshi sipas Seksionit 7031 (c) të Aktit të Ndarjeve të Konsoliduara të FY 2017, duke e bërë atë të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm.