Shqiptaro-zvicerani, Xherdan Shaqiri u është përgjigjur kritikave të shumë personave me paraqitjet e tij të fundit, mirëpo fakti që ka bërë të heshtë legjendën e Manchester United dhe Anglisë, Gary Neville, është gjëja që e ka kënaqur më së shumti Shaqirin.
Gary Neville, ka deklaruar publikisht se ai nuk është tifoz i sulmuesit të Liverpool, pasi Shaqiri nuk mund të siguronte qëndrimin në Premier League sezonin e kaluar ish-ekipit të tij, Stoke City, si dhe ka dyshuar në aftësinë e tij për të qenë pjesë e skuadrës që drejtohet nga Jurgen Klopp.
“Nuk më intereson çfarë më thotë ai. Shumë njerëz më kanë përqeshur pas transferimit në Liverpool, duke thënë se klubi është shumë i madh për mua. Por, unë qëndrova i qetë, madje edhe atëherë kur luaja për shumë pak minuta në fillim”, ka thënë Shaqiri.
“E di, sigurisht për shkak të përvojës time në Bayern Munchen dhe në Inter, se unë duhet të kem durim, duhet të punoj dhe duhet të përqendrohem në mënyrë që kur të më vijë një rast, ta shfrytëzoj atë”, shkruan SP.
Në momentin kur është pyetur nëse do ta shfrytëzonte mundësinë për të pirë një kafe me Nevillen, në mënyrë që ata të diskutojnë për kritikat që ky i fundit ia ka bërë mesfushorit, Shaqiri u përgjigj shkurt: “Jo, aspak”. Kujtojmë që Shaqiri u transferua te Liverpool gjatë verës për 13.5 milionë euro nga Stoke City, ku kishte kaluar tre sezone.