Një ditë të bardhë e ka quajtur Vjosa Osmani votimin e qeverisë së re të Kosovës me Kryeministër, Albin Kurtin.
Duke bërë urimet më të mira për rrugën që kanë ndërmarrë së bashku, Vjosa Osmani kërkon që së bashku me Kurtin të punojnë drejt përmbushjes së pritshmërive të qytetarëve.
“Urime, Kryeministër Kurti!
Votimi juaj sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës si Kryeministër i vendit tonë dhe i kabinetit qeveritar është reflektimi më i saktë e më i sinqertë i vullnetit të qytetarëve tanë, ashtu siç është shprehur qartë më 14 shkurt.
Vërtetë sfidat janë të shumta, qoftë ato të trashëguara e qoftë ato të reja, por në rrugëtimin që filloi sot, uroj që vendimet e politikat tuaja të jenë shembëlltyra më e mirë e nevojave, kërkesave e ëndrrave të qytetarëve të vendit tonë.
Sot është jo vetëm Ditë e Bardhë, por një kapitull i ri në historinë e Republikës, ndaj pres që së bashku të punojmë drejt përmbushjes së pritshmërive të qytetarëve tanë, ashtu siç i kanë shprehur ata zëshëm në kutitë e votimit!
Qoftë fillim i mbarë e një rrugëtim nga i cili do të dalim të gjithë faqebardhë!
Na priftë e mbara në rrugëtimin tonë të drejtë, me të cilin Kosova jo vetëm do ta përjetojë ndryshimin, por edhe do ta ndjejë çdo ditë, në çdo hap dhe për çdo gjë!
Për krejt dhe pa përjashtim, për të gjithë dhe pa dallim, për Kosovën shtëpi tonë të përbashkët.,” u shpreh Osmani.
Ditën e sotme, parlamenti i Kosovës i dha dritën jeshile qeverisë së re të Albin Kurtit me 60 vota pro dhe me 30 kundër. Kurti prezantoi gjatë seancës parlamentare të ditës së sotme disa nga objektivat e qeverisë së tij, ku reformat në arsim, shëndetësi dhe fushën e drejtësisë do të kenë një rol kyç.
(E.H/Faxweb.al)