Mbi 2000 rrënjë ullinj të djegur vetëm një ditë më parë. 1500 djegur para një muaji. 3000 kuintalë ullinj prodhim i këtij viti i djegur.
Ndërhyrja për shkak të terrenit të vështirë u bë nga ajri ndërsa sot pasojat që ka lënë zjarri duken qartë. Për banorët dëmet janë të mëdha ndërsa fatmirësisht banesat nuk janë prekur. Sipas tyre një zjarr i tillë kishte vite pa u parë në zonë dhe djegia e ullinjve shekullorë është një dëm i pamundur që të rikuperohet.
Situata nga zjarret gjatë përiudhës së fundit ka qenë mjaft problematike në disa zona të qytetit ndërsa dyshohet se janë të qëllimshëm. Banorët janë të indinjuar dhe presin ndërhyrjen nga shteti për t’i kompensuar pasi të ardhurat e tyre vijnë pikërisht nga pema e ullirit.
“Dëme të papara, nja dy mijë rrënjë janë djegur. Zjarri që poshtë erdhi, plasi tymi. Bëmë sehir, ça të bënim se erdhi helikopteri me një kovë, pse ai do e fikte zjarrin? Ka zjarr akoma, ja sheshi ja mejdani, kemi frikë për banesat”-tha një prej tyre.
“Polici kukull, këtë plagë sociale kush do e shërojë? Ku janë institucionet, për fotografi e për Tik-Tok? Vetëm makiazh ai helikopteri, po shpërthejnë dhe predhat e ’97-ës, si të ndërhyjmë ne?!Ku janë kanalet vaditëse, 800 mijë euro ka marrë bashkia Vlorë?!”-u shpreh një tjetër banor.