Një incident është shënuar në takimin që ka pasur sot Rudina Hajdari në shkollën “Shejnaze Juka” Shkodër.
Një prej nxënësve të pranishëm i ka thënë deputetes se ajo nuk e njeh Azem Hajdarin, se nëse do ta njihte nuk do të qëndronte në krah të Edi Ramës, duke e shndërruar veten në një shtojcë.
“A e njeh Azem Hajdarin? Ai ka luftuar për demokracinë, ti je duke kthyer komunizmin. Ti je shtojcë e Edi Ramës, je një turp”, u shpreh nxënësi, ndërsa situata ishte mjaft e tensionuar.
Hajdari u shpreh se kjo është ajo që ka arritur të bëjë sot politika shqiptare, të ndajë njerëzit në dy kampe, duke qenë të frikësuar që të shprehin opinionet e tyre të ndryshme.
Për të ndihmuar deputeten ndërhyri dhe kolegu i saj Halit Valteri, që së bashku me organizatorët e këtij takimi nxorën nga salla nxënësin e revoltuar. Sipas tyre prania e tij ishte e qëllimshme dhe e paramenduar në sallë, pasi ai nuk ishte pjesë e shkollës.
(E.K/Faxweb.al)