Që në orën 6 të mëngjesit të sotëm forca policie kanë shkuar dhe kanë shoqëruar thuajse të gjithë banorët e bregut të lumit dhe kanë shembur dhe 3 godinat e para. Mes personave të shoqëruar ka gra dhe fëmijë, ndërsa pjesa e banorëve që janë pranë shtëpive, nuk lejohen të komunikojnë as në telefon.
Një pjesë e banorëve edhe në videon e mëposhtme shihen të gjakosur dhe të dhunuar, pas përballjes më policinë dhe forcat speciale.
Sipas burimeve të Fax News, Policia ka përdorur dhe gaz lotsjellës mbi banorët, ndërsa një prej banoreve Flora Mandri ka pësuar thyerje të këmbës gjatë përplasjeve me forcat speciale, që janë të shumta në zonë.
Po ashtu të dëmtuar kanë mbetur edhe Xhavir Boleci dhe Uzur Mandri, të cilët i janë drejtuar spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.
Uzur Mandri 76-vjeç është në spitalin e Traumës ku po i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale, për shkak të plagëve që ka marrë në kokë.
Rezistenca e banorëve qe mjaft e madhe përgjatë gjithë ditës së djeshme, mirëpo duket se orët e gjata kanë bërë që Policia të gjejë terren në mëngjes për arrestime dhe për ndërhyrjen.
Ndërkohë drejt zonës janë nisur dhe ish-deputetët e Partisë Demokratike Aldo Bumçi dhe Klevis Balliu, të cilët janë penguar nga ana e policisë që t’iu afrohen zonës ku gjenden banorët.
Një pjesë e ish-deputetëve tashmë janë nisur në drejtim të komisariatit numër 4, ku mbahen të shoqëruar një pjesë e banorëve dhe fëmijëve, ndërsa një pjesë tjetër në spital.
Po ashtu në zonë nuk janë lejuar që të hyjnë as mediat, pasi policia ka rrethuar të gjithë zonës.
Kujtojmë se në zonë rrezikojnë shembjen rreth 38 banesa, për shkak se në tokën ku janë të vendosura shtëpitë pritet që të kalojë gjurma e Bulevardit të Ri.
Banorët u shprehën edhe dje në mikrofonin e Fax News së ata nuk janë kundër ndërtimit të rrugës, po kërkojnë që të shpronësohen njësoj sicc ka ndodhur me banorët e zonave të tjera. Ata këmbëngulin se ky është një premtim i pambajtur i Bashkisë së Tiranës.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post