Prej 3 muajsh administrata e bashkise Peqin nuk ka marrë rrogën dhe kjo është konfirmuar për Fax News pas kreut të bashkisë, Lorenc Tosku, edhe nga nënkryetari i saj, Madrit Sulaj.
Në një lidhje telefonike për Fax News, Sulaj tha se shqetësimi i punonjësve qëndron dhe argumntoi se kjo ka ardhur nga mungesa e mbledhjes së taksave nga stafi drejtues paraardhës.
Ai theksoi se nuk kanë kërkuar ndihmë nga qeveria, por garantoi se më datë 2 Shtator, punonjësit do të fillojnë të marrin pagat mujore, ndërsa për pagat e prapambetura tha se duhet pritur për miratimin e projekt-buxhetit të ri që do të bëhet në muajin dhjetor.
“Kjo situatë zgjidhet me mbledhjen e taksave vendore. Për momentin nuk kemi kërkuar ndihmën e qeverisë. Me ardhjen e projekt-buxhetit të ri do të shlyejmë pagat e prapambetura, buxheti vjen në dhjetor. Do të shikohëen kuotat dhe grantet dhe të shohim çfarë bëjmë për shkurtimet.
Më datë dy shtator do të marrin pagat e muajit të fundit ndërsa të prapambeturat do të merren me miratimin e projekt-buxhetit të ri”, tha Sulaj.
Më hert, i kontaktuar nga Fax News kryebashkiaku i Peqinit, Lorenc Tosku bën me dije se shqetësimi qëndron. Ai shton se është një problematikë e mbartur nga drejtuesit e mëparshëm, pasi ai e mori postin e kryebashkiakut më datë 17 gusht. I pyetur se sa mund të zgjasë kjo çështje, Tosku u shpreh se shpreson të marrë zgjidhje shpejt, por nuk jep afate.
Duke parë gjendjen financiare të institucionit të pushtetit lokal, kryebashkiaku shton se është i vetëdijshëm se punonjësit rrogat e prapambetura nuk mund ti marrin njëherësh ndaj kërkon durim e mirëkuptim. Kujtojmë se 4 vjeçarin e fundit bashkia e Peqinit është drejtuar nga Sajmir Hasalla i PDIU.
(F.GJ/FAXWEB.AL)