Ankesat për personat që janë pozitiv me Covid-19, dhe që frektuentojnë ambjentet publike duke shmangur detyrimin e karantinimit të detyruar janë shtuar. Për shkak të simptomave të lehta, shihet një papërgjegjshmëri e lartë e qytetarëve të diagnostifikuar që frektuentojnë kafenetë, rrugët dhe ambjentet të tjera publike.
Fax News mëson se që nga fillimi i pandemisë dhe deri më sot, në Gjykatë kanë përfunduar vetëm 2 qytetarë që akuzohen për përhapje të virusit. Ndërkohë, për thyerje të karantinës janë proceduar në gjendje të lirë 8 persona.
Burime bëjnë me dije se po për të njëjtën periudhë, janë ndëshkuar me masë administrative 7 milionë lekë të vjetra, 16 qytetarë por që janë falur. Amnistia e masave të vendosura gjatë valës së parë të pandemisë, është diskutuar dhe miratuar në Kuvend, pasi Komisioni i Ekonomisë ka miratuar aktin normativ për faljen e gjobave të vendosura nga prilli deri në tetor.
Por çfarë parashikonin ndryshimet në Kodin Penal, një temë që në atë kohë hapi një debat të madh politik e publik, dhe ku u vendosën në diskutim respektimi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve?
Kodi Penal parashikon që çdo person i infektuar me virusin korona, që shkel rregullat e karantinës dhe infekton të tjerët, me dashje apo pa dashje, dënohet nga 2 deri në 8 vjet burg, kur shkelja e rregullave shkakton dëme të rënda, përfshirë edhe vdekjen. Ndërsa me përfundmin e afatit të këtij rregulli, ndryshoi edhe kontrolli mbi personat e infektuar që shëtisin lirshëm.
Kryeministri Edi Rama e justifikoi në atë kohë një masë të tillë, me argumentin se pothuajse 2,800 njerëz do të kishin vdekur nëse nuk do të ishin bërë të detyrueshme rregullat e karantinës. Pavarësisht numrave në rritje të rasteve të reja të infeksioneve dhe në të njëjtën kohë, me rritjen e vdekshëmrisë nga virusi, nuk ka një bilanc apo masë të përcaktuar për personat e infektuar që shëtisin lirshëm dhe pasojave që mund të shkaktojnë.
Nga ana e tyre, efektivët e Policisë, përveçse në rrezik personal për t’u infektuar, duket se një situatë të tillë nuk e kanë nën kontroll. Përballë shifrave të tyre, ata gjenden në pamundësi që të mbajnë nën kontroll çdo qytetar të infektuar, pasi një gjë e tillë do të kërkonte dedikimin e një numri shumë të madh të efektivëve, që mund të krijonin boshllëqe në sektorë të tjerë ku duhet të angazhohen.