Në Gjykatën e Kurbinit pritet që të jepet masa e sigurisë për personat e përfshirë në përplasjen e disa ditëve më parë në Mamurras, ku mbetën të plagosur 3 persona, mes tyre dy punonjës të Policisë.
Në Gjykatë pritet që të mbërrijë i pati polici David Madani, i cili dyshohet se plagosi me armë Nikolin Vorfin (Fufi) dhe dy kolegë të tij, pasi ka bërë qitje të pakontrolluar. Pas Madanit në Gjykatë do të mbërrijnë dhe tre anëtarët e fisit Fufi, që u arrestuan të nesërmen e ngjarjes.
Sipas SHÇBA ngjarja ka nisur për shkak të një kontrolli që Policia ka bërë në një nga lokalet në pronësi të vëllezërve Fufi, për shkak se në ambientet e tyre ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit.
‘Të inatosur’ nga ky kontroll, vëllezërit Fufi i kanë zënë pritë patrullës së policisë dhe i kanë qëlluar me sende të forta, ndërkohë që Madani në kushtet e vetëmbrotjes ka nxjerrë armën dhe ka bërë qitje në mënyrë të pakontrolluar.
Mbetet e paqartë se si ai ka mundur të qëllojë dy kolegët e tij, ndërkohë që SHÇBA thotë se në vendngjarje janë sekuestruar 3 gëzhoja, të treja të qitura nga arma e Madanit.
Madani, 45 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Stacionit të Policisë Mamurras, u arrestua për veprat penale “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”.
Po ashtu janë arrestuar dhe shtetasit: Gjon Fufi, Nikoll Fufi ose ndryshe Nikoll Vorfi, si dhe Rudolf Fufi, të cilët akuzohen për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosje për shkak të detyrës” në bashkëpunim.
(E.K/Faxweb.al)