Mediat holandeze kanë publikuar pamjet e fundit të presidentit të vetëshpallur të çamërisë Festim Lato, të cilat janë regjistruar ditën e zhdukjes së tij, ku më pas trupi iu gjet i vdekur, i hedhur në një kanal.
Ka qenë një emision investigues në Holandë, që kërkon informacione për autorët e vrasjes që ende nuk janë zbuluar, ai që ka nxjerrë pamjet nga takimi i fundit më 15 korrik që Festim Lato ka pasur në një restorant me disa persona, për punë.
Në një prej takimeve të zhvilluara në qytet, Laton e kanë shoqëruar me një makinë Opel Vivaro të bardhë, tre burra dhe një grua.
Pasi ka mbaruar takimin në restorant, Lato duket nga kamerat e sigurisë teksa del të takojë për një moment shoqëruesit e tij.
Kthehet sërish, takon personin që ishte në restorant, dhe largohet me makinën e tij, MGTF135 blu të errët, me tavan pëlhure.
Është e çuditshme për hetuesit, se si një njeri si Festim Lato që nuk udhëtonte kurrë pa shoqërues, t’i linte ata të iknin dhe të largohej me makinën e personit që ishte në takimin e punës.
Katër ditë më vonë, trupi i pajetë i tij u gjet i prerë dhe ndarë në disa thasë, hedhur ndoshta nga ndonjë barkë në Amsterdam Rijkanaal rreth 4 km vijë e drejtë nga Abcoude, vendi ku Festim Lato bëri takimin e punës në restorant.
Personi në fjalë që e shoqëron me makinën e tij private, është identifikuar nga hetuesit atje, dhe është marrë në pyetje.