Dhjetra banorë në qytetin e Durrësit janë grumbulluar përpara ambienteve të prefekturës duke kërkuar dëmshpërblimin e munguar tashmë prej 8 muajsh, që pas tërmetit të 21 Nëntorit.
Me letra e shkresa në duar, qytetarët sorrollaten sa në një derë te një dritare në pritje të një përgjigje, që çuditërisht nuk u vjen, edhe pse premtimet që kanë marrë janë të shumta.
Në ambientet përpara prefekturës nuk shihet asnjë punonjës i rendit, edhe pse numri i njerëzve të mbledhur është disaherë më i lartë, se ai i qytetarëve në disa protesta civile të mbajtura në Tiranë, ku ndërhyrja ka qenë e menjëhershme. Qytetarët shfaqen mjaft të irrituar nga kjo situatë dhe kërkojnë zgjidhje pasi po sorollaten për muaj të tërë me radhë.
“Ky 80-vjeç ishte në orëm 5, shpërndan ca numra. I mori ata numra në xhep polici dhe turmat e njerëzve i venin nga mbrapa. Ç’a po bëhet këtu? Se po të jetë populli, atë polic e kishte mbyt me pështyma, me pështyma e kishte mbyt. Ç’a bëhet më këtë shtet kështu? Dun luftë civile? Aplikuam në shtator aplikuam në nentor, shkojmë te bashkia bashkia thotë shko te komuna, shkojmë të komuna na thonë të shkojmë te bashkia. Mallku qofshin, mallku qofshin qeveritarët.”-tha një grua e revoltuar.
Ndërkohë në një moment të videos dëgjohetnjë zë nga brenda prefekturës dhe një qytetar shprehet: “Ja e shikoni po vdès një tani aty brenda”