Nëse para dy javësh në Elbasan kryheshin në ditë rreth 50-të tamponë për covid 19-të, ky numër ditët e fundit nuk i kalon 10-të. Për një qytet si Elbasani shifrat janë fare minimale, shkak për këtë është bërë fakti se DSHP aq furnizohet nga ministria e shëndetësisë.
Në drejtorinë e njësisë vendore të kujdesit shëndetësor në Elbasan cdo ditë paraqiten qytetarë që kanë interes të kryejnë tamponin, por kthehen duarbosh , pasi duhet të referohen nga institucionet përkatëse. I tillë është edhe ky i moshuar që interesohet për vajzën e tij.
“Kam vajzën që është me temperaturë, tamponin e kanë këto në dorë, duhet ti japin urdhër mjeku i familjes”, shprehet i moshuari.
Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit shëndetësor në Elbasan pranon faktin se dy javët e fundit është shtuar interesi i qytetarëve Elbasanas për të kryer tamponë, por vëmendje kanë marrë vetëm rastet e referuara nga urgjenca kombëtare, qendra spitalore ne Elbasan dhe rastet e mjekëve të familjes.
Një ditë më parë në Elbasan rezultoi pozitive mjekja e vetme infeksioniste e infektivit, ndërsa bashkë me të janë karantinuar edhe tre infermiere. Për pasojë ky shërbim është pezulluar, ndërsa për pacientët e vetmja zgjidhje i mbetet këshillimi nëpërmjet telefonit. Burimet bëjnë me dije se të infektuar në radhët e bluzave të bardha ka edhe në repartet e tjera të spitalit vecse, informacioni mbahet diskret./Entela Duka-Faxnews