Me një fond që kap vlerën rreth 190 milionë lekë të reja ka nisur rehabilitimi i 2 akseve rrugore të qytetit të Durrësit, respektivisht i rrugës “Dëshmorët” dhe “Egnatia Loti II”.
Punimet kanë nisur që në muajin Mars të vitit të lamë pas dhe mendohej të përfundonin në Gusht të po atij viti. Por punimet e tejzgjatura në kohë dhe që duken ende shumë larg të përfunduarit kanë krijuar shumë problematika në qytet që kanë të bëjnë pikërisht me trafikun e rënduar që vjen nga ngushtimi i rrugës për të zgjeruar trotuaret.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit po financon rehabilitimin e dy prej rrugëve kryesore në qytetin bregdetar të Durrësit. Me një fond që kap vlerën rreth 190 milionë lekë të reja do të rehabilitohen rrugët “Dëshmorët” (nga Pallati i Sportit “Ramazan Njala” deri tek Mauzoleumi i Dëshmorëve) dhe “Egnatia” (nga rrethrrotullimi i stacionit të trenit deri tek “Flagship” dhe nga shkolla “Jusuf Puka” deri tek kryqëzimi i rrugës “Grigor Durrsaku”).
Punimet që kanë filluar që në muajin mars të vitit 2020 kanë krijuar jo pak probleme në qytet, ku drejtuesit e mjeteve ankohen për trafikun e rënduar si pasojë e punimeve, një situatë që i mundon prej 11 muajsh tashmë.Ndërkohë që drejtuesit e mjeteve shprehen se është shkaktuar një trafik i madh duke çuar dëm gjithë investimin.
“Nuk ke ku ecën. Kudo ka trafik dhe 2 orë në trafik do të thotë një shpenzim i çuar dëm për ne”- u shpreh drejtuesi i mjetit
Ajo që mbetet më tepër shqetësuese është ngushtimi i rrugës dhe fakti se madhësia e rotondës nuk është në proporcion me të, një tjetër shofer shprehet ser mjaftojnë pak minuta dhe krijohet një trafik i gjatë/
“Kemi lëvizur në shumë vende, por s’kemi parë të ngushtohen rrugët e të zgjerohen trotuaret. Këtu mjaftojnë pak minuta e krijohet trafik, do ta kemi shumë të vështirë.”- u theksoi shoferi.
Sakaq edhe qytetarët i shohin me skepticizëm këto projekte duke deklaruar se ka ndodhur jo pak herë që investimet e bëra kanë rezultuar të pavlera.
“S’po dijmë ku të ecim. Bëjnë rrugë e pastaj pas 1 viti përmbytet e e prishin prapë. Pse t’i paguaj unë gabimet e tyre?”
Urbanisti Ardian Muka, që është edhe drejtuesi i departamentit të zhvillimit urban dhe infrastrukturës në PD, u shpreh për mikrofonin e FaxNews se këto punime ishin një “gafë” e madhe e qeverisë vendore pa kryetar, pasi sipas tij, pushteti vendor ishte në duart e kryeministrit.
“Asnjëri nuk po merr vesh se çfarë po bëhet, çfarë po shpenzohet dhe për çfarë po bëhet kjo ndërhyrje, të shkosh dhe të ndryshosh atë çfarë sistemi rrugor i Durrësit duke bërë këto lloj ngushtimi në akset kryesore, për qytetarët kjo do të përkthehet në stres”- u shpreh Muka
Kujtojmë se ky projekt zhvillimi përfshin akset rrugore “Dëshmorët” dhe “Egnatia Loti II”. Në pamundësi për të bërë rehabilitimin e këtyre rrugëve me fondet e veta, bashkia ka dorëzuar projektin tek FSHZH, që njëkohësisht ka financuar në Durrës edhe projektin e shëtitores “Taulantia”, me kontraktor B.O.E: V.Hysa shpk, ARIFAJ shpk, DENIS 05 shpk.
Vlera e objektit arrin në 189.910,073 lekë me TVSH dhe siç shkruhet në tabelën sqaruese, punimet duhej të kishin përfunduar që në gusht të vitit që lamë pas, por siç duket edhe në pamjet e filmuara nga kamera e FaxNews, punimet për fazën e dytë të projektit janë ende larg përfundimit.