Qyteti i Lezhës ditën e pestë të karantinës të shpallur nga qeveria e ka nisur me rrugë të zbrazura, bare e restorante të nbyllura, ku shërbejnë vetëm dyqanet ushqimore, ato të bukës dhe farmacitë. Pas orës 08:00 nuk ka patur fare lëvizje automjetesh nga ana e qytetarëve përveç atyre që janë të autorizuara sipas ligjit.
Ndryshe nga ditët e tjera, sot qyteti është zgjuar me rrugë të pastra, të dezinfektuara dhe me fare pak kalimtarë që janë kryesisht nga ata që kanë dal për punë. Gazetari i Fax News, Preng Gjikolaj raporton se gjendja në Spitalin Rajonal të Lezhës është normale, ka fare pak lëvizje nëpër ambientet e tij, madje dhe urgjenca ka fare pak pacientë që kërkojnë ndihmë emergjente mjeksore.
Gjithashtu edhe Materniteti i Lezhës vijon punën normalisht pa probleme. Edhe në qytetet Shëngjin të Bashkisë Lezhë, në qytetet Rrëshen, Rubik dhe Reps të Bashkisë Mirditë mbizotëron gjendja e karantinës. Edhe në ato qytete ka fare pak kalimtarë rrugëve, ndalim-qarkullimi respektohet, gjithashtu edhe atje ndërsa baret, restorantet dhe tregjet në përgjithësi janë të mbyllura, shërbejnë vetëm ato me mallra bazike për jetesë, përfshirë dhe faramacitë.
Në Qarkun e Lezhës ka patur furnizim normal me ujë, energji elektrike si dhe nuk ka mungesa në ushqime dhe as në medikamente. Në të gjitha farmacitë mungojnë maskat mbrojtëse. Spitali bashkiak i Rrëshenit dhe materniteti i qytetit punojnë normalisht dhe nuk ka patur probleme. Deri tani në spitalin rajonal të Lezhës janë paraqitur si të dyshuar për Korona virus COVID-19 3 pacientë që kishin histori lëvizje me Italinë dhe pas egzaminimit të tyre fatmirësisht kanë rezultuar negativ. Para dyerëve të Policisë së Lezhës dhe asaj të Mirditës ka fare pak njerëz që kërkojnë dokumenta, ndryshe nga ditët e para ku ka patur grumbullime njerëzish.
Ndërsa situata në Fier në ditën e 5 të karantimit ka nisur me më shumë lëvizje, dhe janë qytetarët të cilët kryejnë pagesën e shërbimeve, marrin furnizime etj.
Policia dhe ushtria gjenden nëpër rrugët e qyteti dhe po bëjnë kontrolle, ndërsa duhet theksuar se Fieri është një nga qarqet ndër më të prekura ngë kronavirusi por kjo nuk i ka trembur qytetarët të dalin rrugëve për motive të ndryshme.
Gazetarja e Fax News, Fatmira Barjami raporton se në qytet shikohen edhe lëvizje të automjeteve private ndërsa nuk dihet nëse për të gjitha prej tyre ka autorizim përkatës.
Në këtë qark, siç raportuam më herët, është përkeqësuar gjendja shëndetësore e dy prej tre anëtarëve të një familje në Dërmenas, të cilët prej ditesh ishin karantinuar në shtëpinë e tyre.
Burime bëjnë me dije se babai dhe vajza kanë shfaqur komplikacione me shëndetin, ndërsa janë nisur me autoambulance drejt spitalit infektiv në Tiranë, ku do të marrin dhe mjekim më të specializuar.
Gruaja, e infektuara e tretë me covid 19 vijon të qëndrojë në shtëpi, pasi paraqet gjendje të qendrueshme shëndetesore deri më tani, edhe pse do të duhet të mbahet nën vëzhgim lidhur me simptomat që do të shfaqë (lexo lajmin).
Në Vlorë qytetarët vazhdojnë të lëvizin lirisht ndërsa shikohen nëpër rrugët e qytetit. Nga ana tjetër, Policia vazhdon postblloqet ndërsa gazetarja e Fax News Afrovita Husaj raporton se 3 biznese që shërbejnë si bar-kafe të konstatuara të hapura jane gjobitur me vlerën 5 mln lekë secili.
Dje janë në këtë qytet janë bllokuar 12 makina dhe 55 me rang qarku, ndërsa në këtë fenomen Saranda ka rezultuar me shumë probleme.
Grupet e kontrolleve rinisin punën në terren, për të mbyllur dhe gjobitur subjektet që kanë thyer rrregullat në Pogradec. Raportohet se janë mbyllur disa dyqane që kishin nxjerrë produktet në trotuar dhe nuk kishin marrë masa mbrojtëse. Kontrolle janë realizuar edhe në fasoneritë e hapura mëngjesin e sotëm, ku jepen direktivat e ruajtjes së distancës dhe masave mbrojtëse.
Edhe në Gjirokastër raportohet se qytetarët kanë shpërfillur urdhërat e autoriteteve dhe kanë mbushur rrugët e ku shumica prej tyre për të marrë furnizime, ka që shkojnë në punë por edhe që bëjnë shëtitje.
Në Elbasan ashtu sikurse në Lezhë, qytetarët janë të paktë nëpër rrugët e qytetit, ndërsa nga pamjet e mbërritura konstatohet se lëvizjet janë tepër të rralla, çfarë ka bërë që edhe qentë endacakë të shtrihen në sheshin në mes të qytetit duke ‘marrë rreze” pasi sot është një ditë me diaell edhe në këtë qytet.
Shkodra është zgjuar njëlloj si ditët e tjera edhe këtë të martë. Në rrugët e kryeqendrës së veriut dallohen njerëz të të gjitha moshave ku nuk mungon frekuentimi i lulishteve dhe këndeve të gjelbërta. Ashtu si një ditë më parë që nuk respektuan orën 18:00 për të hyrë në banesë, sërish shkodranët nuk kanë ‘frikë’ jo vetëm nga COVID- 19 por as nga gjobat e qeverisë teksa ndërgjegjësimi për kujdesin shëndetësor nuk është shumë i lartë. Në Shkodër ende nuk ka asnjë rast të dyshuar me koronavirus ndërkohë që lëvizja në qytet po bëhet me mjetet e autorizuara.
(F.GJ/FAXWEB.AL)