Mëngjesin e sotëm një 42-vjeçar humbi jetën si pasojë e një zjarri që ra në banesën, në fshatin Vërdovë të Pogradecit. Lidhur me ngjarjen në një intervistë për “Faxnews” ka folur i vëllai i viktimës, i cili shprehet se në momentin e rënies së zjarrit ai nuk u mundi të bënte asgjë për ta shpëtuar pasi dera dhe i gjithë kati i dytë ishte përfshirë nga flakët.
Ndër të tjera ai u shpreh se shkak mund të jenë problemet e shëndetit mendor të viktimës pasi vuante nga sëmundje të rralla ç’ka e bënin atë të papërgjegjshëm në veprimet e tij. Ndërsa shtoi se pasi lajmëroi autoritetet, policia dhe zjarrfikësja nuk mundën të ngjiteshin deri tek banesa pasi rruga ishte e mbuluar nga akulli.
“Nga ora 4 e mëngjesit më zgjon nusja, më thotë çohu se po bëhet zhurmë, kur hap derën shikoj katin e dytë ishte kapluar nga flakët. Lart banonte vëllai, dhoma e tij ishte djegur komplet dhe dera jashtë kishte marrë flakë, menjëherë e pamë por nuk bënim dot asgjë për ta shpëtuar vëllain, morëm fëmijët dhe dolëm jashtë nuk mora dot asnjë gjë tjetër.
Morëm në telefon zjarrfikësen, policinë erdhën dhe e panë ngjarjen çfarë po ndodhte. Punonjësit erdhën në këmbë sepse kishte ngrirë rruga dhe automjetet xhironin. Unë njëherë punoj njëherë jo, dal jashtë shtetit për punë nga dy tre muaj.
E gjithë shtëpia siç e shikon të tëra dhomat janë të djegura nuk mora dot asnjë rrobë të fëmijëve, i kemi nxjerrë zbathur, po strehohen nga xhaxhai. Mendoj se zjarri është shkaktuar nga energjia elektrike mund të ketë bërë ndonjë masë, poshtë instalimet ishin të reja ndërsa lart jo. Vëllai jetonte vetë sipër, mund të ketë ndodhur edhe nga pakujdesi i vëllait pasi ai vuante edhe nga një sëmundje e rrallë dhe nuk ishte shumë i përgjegjshëm. Nga bashkia erdhën disa veta filmuan shtëpinë por nuk e di çdo të bëhet”- u shpreh i vëllai i 42-vjeçari i cili vdiq mes flakëve.