Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashKryesoreTe FunditTe Gjitha

VIDEO/ 24 vite nga rrëmbimi i Remzi Hoxhës, djali akuza Ramës: Na përdori politikisht, tani s’pranon të na takojë!

24 vite nga zhdukja e bujshme e Remzi Hoxhës, biznesmenit kosovar që u rrëmbye në Tiranë në vitin 1995, familja e tij ende është në kërkim të eshtrave të të ndjerit.

Djali i tij ka dhënë sot një deklaratë për mediat, ku ka shprehur zhgënjimin e thellë për qeverisjen e Edi Ramës, që sipas tij i kishte dhënë shpresë se do të gjente rrëmbyesit e babait të tij, dhe në fakt i ka lënë në baltë.

Sipas tij e vetmja fije që mund të sillte zbardhjen e krimit të kryer ndaj babait të tij, Budjon Meçe sot ka vdekur, dhe nuk mund ti merret më dëshmia e tij.

“Kishim shpresë tek qeveria Rama, kur ishin në opozitë e ngritën zërin, na përdorën vetëm politikisht, askush nuk e përmend tani që janë në pushtet.

Kemi tentuar të takojmë edhe Ramën, por na ka adresuar te ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri. Kisha informacione që dëshmitari i vetëm Budjon Meçe ishte në Shqipëri. Tahiri më kërkoi të gjitha informacionet në lidhje me këtë dhe nuk u bë më asgjë.

Meçe nuk është më gjallë, humbëm një rast për të zbardhur të vërtetën. Kishim shpresë se do gjenim eshtrat e babait.

Tani situate është bërë më e vështirë për ne si familje. Edhe ky pushtet është e paintersuar për çështjen. Im atë humbi jetën për Shqipërinë, për kombin”, u shpreh djali i Remzi Hoxhës.

Historia e rrëmbimit dhe më pas torturimit të Remzi Hoxhës, është një temë që ka shkaktuar jo pak debat në mesin e viteve 90, ku fajtor për këtë ngjarje bëhet ish-kreu i SHISH Bashkim Gazidede. Hoxha është përmendur po ashtu dhe për faktin se ka qenë agjent i UDB-së, ndërsa ka qenë një nga financuesit e parë të UÇK-së.

Një historik i shkurtër mbi rrëmbimin e tij, e marrë nga revista Klan:

Remzi Hoxha kishte nisur të ndihej i qetë në mesin e tetorit 1995. Pasi kishte shitur të gjithë pasurinë e tij në Kosovë e Maqedoni, me një shumë prej 450 mijë markash gjermane, kishte nisur jetën e re në Tiranë, për t‘i shpëtuar njëherë e përgjithmonë ndjekjes nga regjimi i Millosheviçit, në pritje të ditëve të qeta.

Duke punuar dhe shkolluar fëmijët në Shqipëri dhe, ndërkohë, duke ndihmuar financiarisht bërthamën e një lëvizjeje për çlirimin e Kosovës, që më pas do të pagëzohej me inicialet UÇK.

Ndaj, pasi kishte themeluar punishten e duralumineve “Albatros” në rrugën e “Frigoriferit”, afër stacionit të trenit në Tiranë, kishte sistemuar familjen në një apartament në zonën e Pazarit të Ri.

Sadija, gruaja e tij, kujdesej për 3 djemtë dhe 2 vajzat, njëri prej të cilëve, Ardiani, u regjistrua në kolegjin turk.

Çdo mëngjes, Remziu dërgonte fillimisht djalin në shkollë dhe pas punës rikthehej për ta marrë sërish.

Kështu, dalëngadalë po kalonin ditët e para të jetës së re për familjen Hoxha.

Në Tiranë sapo kishte shpërthyer biznesi i kioskave, shtëpive të para luksoze dhe pallateve private, të cilat po përdornin materiale dhe teknika të reja ndërtimi.

Ku ndër më të kërkuarat, po bëheshin vetratat e duraluminit për dyer e dritare. I zhytur në punë, dalëngadalë kishte trokitur ora 13:30 e së shtunës së 21 tetorit.

Pas pak minutash, Remziut i duhej të shkonte për të marrë djalin në shkollë e për të pushuar për fundjavën e parë, pas shumë kohësh, së bashku me familjen.

Ndoshta këto ka qenë duke menduar 42-vjeçari, kur në atë moment, në punishten e tij ia ka behur një karvan me 3 makina.

Nga një “Volksëagen Golf”, tip i ri, ngjyrë ulliri, kanë zbritur disa persona, të cilët i kanë kërkuar që të shkojë me ta për një sqarim në polici.

Remzi Hoxha ka lënë punën dhe pa as më të voglin hezitim i ka ndjekur pas.

Vetëm pasi makina me targë TR 2449 C e shoqëruar nga një “Jeep” dhe “BMË”, janë larguar me shpejtësi, punonjësit e tij kanë kuptuar se ata ishin të gjithë civilë, me makina civile dhe nuk kishin paraqitur asnjë mandat zyrtar. Ose të paktën, ata nuk panë që “bosi” i tyre t‘ua verifikonte. Ndaj, menjëherë janë shqetësuar.

Pas 15 minutash, ata kanë vënë alarmin, duke lajmëruar Komisariatin Nr. 3 të Policisë, që ka nën juridiksion atë zonë. “Po. Dakord. Menjëherë jemi vënë në ndjekje të makinës me targën që na dhatë”, ka qenë përgjigjja nga ana “blu” e telefonit.

Minutat kalonin, ndërkohë që ishte vënë në dijeni edhe gruaja dhe fëmijët e Remziut. Pas 1 ore e 15 minutash, tri makinat e “rrëmbimit” janë rikthyer sërish në vendngjarje. Një moment i artë, që punëtorët të mos bënin sërish gabimin e parë. Njëri prej 3 “rrëmbyesve” ka treguar mandatin e një punonjësi të autorizuar. Ndaj ata kanë kërkuar menjëherë sqarime. Por, “ata na kërcënuan në mënyrën më të prerë dhe ekstreme të mundshme”, – thuhet në një letër të asaj kohe të punëtorëve të “Albatros”. Të cilët nuk mund ta merrnin me mend, se pluhuri i “karvanit” të makinave të rrëmbimit që u ngrit menjëherë pas kësaj, do të mbulonte në mënyrë enigmatike për shumë e shumë vjet, fatin e punëdhënësit të tyre.

Në atë kohë, për Remzi Hoxhën qarkullonin zëra se ishte arrestuar si agjent i UDB-së, si trafikant armësh, e deri si pjesëmarrës në atentatin kundër Presidentit të Maqedonisë, Kiro Gligorov.

“Por asnjëra prej tyre nuk qëndron”, – thotë një burim që ka drejtuar hetimin thuajse nga “hiçi” të kësaj çështjeje deri në 1998-ën, kur ajo u mbyll për herë të parë pa autor, – “pas zhdukjes që i ishte bërë dosjes gjatë trazirave të marsit 1997”. Sipas tij, e gjitha që kishte ndodhur ishte një lojë e SHIK-ut të Gazidedes, që tentoi të realizonte një skenar, sipas të cilit “Remzi Hoxha, një agjent i UDB, – tani ka dalë se ka qenë një ndër financuesit e parë të UÇK-së, – dhe Ziso Kristopulli, agjent i Asfalisë greke, kishin ngritur biznese me paratë e këtyre 2 shërbimeve sekrete të vendeve fqinje. Me anë të të njohurit “të tyre të përbashkët”, gazetarit Armando Loshaj, që ka shumë mundësi të ketë qenë një i infiltruar i SHIK, – me Kristopullin e prezantuan 2 punonjës policë(?!), – për të realizuar “komplotin” kundër qeverisjes së atëhershme, nëpërmjet financimit të fushatës elektorale të PS-së, me paratë e “2 armiqve” të Shqipërisë.

Një skenar që duket se nuk arriti të realizohej, sepse, pas disa ditësh tortura, në një moment kur Hoxha duket se nuk po arrinte të “pranonte skenarin” në përpjekje për ta trembur, dhuna ka shkuar përtej limitit që është dëshiruar.

Në këtë mënyrë, tregtari kosovar u ka mbetur në dorë.

Autorët e kësaj vepre, sipas ish-shefit të SHISH-it, Fatos Klosi, u liruan nga detyra dhe pasi u pajisën me pasaporta e viza të rregullta, kanë udhëtuar dhe që nga ajo kohë jetojnë e punojnë si emigrantë në Angli.

Kjo ka detyruar lirimin pas disa ditësh të Kristopullit dhe fshehjen e Remzi Hoxhës në një varr pa emër. Gjurmët e të cilit, nga hetimet e 3 viteve më parë, të çojnë në ish-kënetën buzë bregdetit të Lezhës, jo shumë larg vendit të “torturave”, e cila sot funksionon si kamp pushimesh, për punonjësit e Shërbimit Sekret Shqiptar.

(E.K/Faxweba.al)

Fjalët Kyce

Mendoni se duhet të hapen listat e partive dhe të ndalohen koalicionet parazgjedhore?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *