Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar rezultatet paraprake të zgjedhjeve të sotme për kryetar të Podujevës dhe Mitrovicës Veriore.
Me 51.64% të votave, Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje ka fituar në zgjedhjet e sotme komunale. Kandidati i LDK-së Nexhmi Rudari ka marrë 35.97 për qind, ndërsa Naim Fetahu i PDK-së ka marrë 12.40 për qind.
Në zgjedhjet për të parin e komunës së Mitrovicës së Veriut ka fituar Lista Serbe me 89.86 për qind, pasuar nga Vetëvendosje me 3.68 për qind dhe PDK me 3.54 për qind
Lidhur me këtë rezultat paraprak ka reaguar dhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili është shprehur: “Sonte në Podujevë ka fituar Podujeva, ka fituar qytetari i saj. Gjatë takimeve anë e mbanë komunës suaj, çdoherë kur kemi dal nga shtëpia, i cili teksa na thoshte se këtu po fillon Shpejtim Bulliqi, po fillon Lëvizja Vetëvendosje, po fillon Qeverisja e mirë.
Kjo që ka ndodhur sonte është referendum dhe jo vetëm sonte por edhe në të ardhmen, në Kosovë do të ketë referendume, do të ketë më shumë se zgjedhje kur të mbahen votimet. Kjo sepse populli është përcaktuar për Vetëvendosjen. Ju falënderoj secilin prej jush. Nuk po e marrim komunën, ne po ua kthejmë juve komunën. Do të jemi pranë jush sepse jemi si ju e gjithmonë do të mbetemi si ju”.