Shoqatat e Transportit në Tiranë nuk pranojnë që të dalin në detyrë pa ndryshuar masat e protokollit, ndonëse kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i ka paralajmëruar që të nisin punën duke i thënë se do ti hiqet licensa nëse vazhdojnë të mbajnë peng qytetin.
“Unioni i shoqatave të transportit publik në Tiranë nuk pranojnë të dalin në punë pa u ndryshuar protokolli. Pas takimit të zhvilluar mes tyre pa praninë e mediave është dalë në përfundimin se operatorët e kanë të pamundur të dalin dhe të zbatojnë protokollin. Sa i takon heqjes së licencave ata besojnë se nuk do t’ju hiqet pasi janë tatimpagues të rregullt prej kohesh dhe sipas tyre nuk janë aq të parëndësishëm për strukturat ekonomike dhe te shërbimeve qytetare”, thonë Shoqatat e Transportit në Tiranë.
Ditën e djeshme, Veliaj tha se është dakord që të ulet në një tryezë me shoqëritë e transportit, por jo me ato që vendosin ul.timatume.
Veliaj ndërkohë paralajmëron se kompanitë që nuk rifillojnë punën dhe mbajnë pe.ng qytetin, atëhere do u hiqet licenca nga Bashkia. Madje kryebashkiaku shpreh garancinë si disa kompanive do u hiqen licencat.
“Bashkia e Tiranës i ka plotësuar të gjitha kërkesat e kompanive të autobusëve. Mund të vazhdojnë debatet me ministrinë, edhe unë dua të vazhdoj një diskutim me ministrinë sepse duhen subvencionuar studentët, duhen subvencionuar personat me aftësi të kufizuara, duhen subvencionuar veteranët; por, ky diskutim mund të vazhdojë fare mirë duke nisur punë. Unë do të jem avokati i tyre, por në momentin kur ata thonë: ‘O të gjitha, o rashë e vd.iqa’, ju garantoj se disa kompani do humbasin licencën e transportit në Bashkinë e Tiranës”, u shpreh ai.
Më tej ai shton se nuk është problem për heqjen e licencave, pasi menjëherë vjen dhe e merr një operator tjetër dhe Bashkia e pajis me licencën për të filluar shërbimin e transportit urban për qytetarët.
“Kush i vë në dyshim këto që po them, le të kthehet te Astiri ose te Teatri dhe të shohin a e mbajmë apo jo. Ne jemi qytetarë sepse zgjedhim të flasim si qytetarë dhe të sillemi si qytetarë. Por, kur dikush bllokon rrugën dy vjet, kur dikush bllokon teatrin dhe e zapton tre vjet, kur dikush thotë:
‘Nuk dua ta nxjerr autobusin’, ndërkohë që kërkesat i plotësohen 100%, kjo është të mbash qytetin pe.ng. Këtë qytet nuk e ka mbajtur sot pe.ng askush në këto 5 vite dhe kjo është arsyeja pse ky është paralajmërimi i fundit. Nëse operatorët nuk dalin, fare mirë humbasin licencën, e cila do të hidhet në treg dhe vjen e merr një operator tjetër”, deklaroi Veliaj, duke shtuar se në këtë periudhë sakrificash të gjithë duhet të bëjnë maksimumin.(A.M/Faxweb.al)