Duke përfituar nga kthimi i Tiranës në një kantier në ditët e fundit, Erion Veliaj duket se po mendon për një zyrë të re, pasi godina e Bashkisë do të zhvendoset. Lajmin e dha vetë Veliaj, gjatë paradites së sotme ku njoftoi dhe çeljen e garës për projektin, që do të konkretizohet pranë bulevardit të ri.
“Ky është një qytet ku do bashkëjetojmë edhe me nostalgjinë, por edhe me ëndrrat dhe aspiratat për t’u bërë një qytet modern. Ndaj shumë i lumtur sot që në 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet ne shpallim një konkurs për një ndërtesë të re të Bashkisë së Tiranës, një ndërtesë administrative me rreth 1200 vetë apo 1200 poste pune dhe një ndërtesë që besoj do hedhë spirancën e zhvillimit në veri të Tiranës që është ky bulevard ku jemi ne sot”, tha Veliaj ndërsa bëri të ditur se godina e vjetër do të ruhet dhe do të ketë një karakter ceremonial.
Sipas Veliajt kjo ndërtesë do të jetë 100% ekologjike, ndërkohë që shtoi se të njëjtin fat pritet të kenë dhe institucione të tjera që janë vendosur në qendër të qytetit.
“Për të gjithë ata që kanë merak nuk do të humbim ndërtesën e vjetër, pra ajo do të vijojë të jetë selia e kryetarit të Bashkisë. Është ndërtesa klasike dhe ndërtesa në zemër të qytetit, kilometri zero i Shqipërisë nga ku fillojnë e maten të gjithë distancat.
Ndërtesa klasike ajo që quhet city-holl, pra bashkia ceremoniale do të vijojë të mbetet në zemër të qytetit dhe bëhet fjalë për të ngritur në bulevardin e ri një ndërtesë e cila siç thamë duam të jemi të parët në Shqipëri, ndoshta edhe në rajon me një ndërtesë që I ka emetimet zero, do të thotë një ndërtesë 100% ekologjike që ndoshta do të vendosë një standard edhe për ndërtimet në të ardhmen””, deklaroi Veliaj.
“Jemi në negociata me qeverinë, që edhe në lagjet e reja të ketë institucione publike, si te “5 Maji”. Të çojmë edhe atje disa institucione. Do të hapim konkursin për Kinostudion dhe Kombinatin për të gravitur disa institucione. Një nga gjërat që parashikoj është rritja demografike e qytetit. Deri dje e quanim tabu ndërtimin me dru. Ne mendojmë se nuk ka status që digjet dhe është kasolle por teknologjia ka evoluar” tha Veliaj.