Aktivisti Aulon Kalaja ka folur në ‘Fax News’ rreth rastit tragjik të lezhjanit Pëllumb Marnikollaj i cili dy vite më parë më 3 gusht 2016 pasi hyri në komisariatin e policisë për të bërë detyrimin e paraqitjes, nuk doli më i gjallë prej andej.
Policia greke në deklaratën e saj bënte të ditur se Marnikollaj ishte hedhur nga dritarja e katit të tretë të komisariatit pasi i ishte komunikuar një akuzë e re dhe kishte humbur jetën.
Por dyshimet janë të forta se bëhet fjalë në fakt për një vrasje, për shkak se shenjat në trupin e të riut shqiptar janë të qarta se ndaj tij është ushtruar dhunë.
Aulon Kalaja tha në ‘Fax News’ se ai po punon për një dokumentar që sipas tij do të provojë se vdekja e Pëllumb Marnikollaj ishte një vrasje e pastër.
Më tej Kalaja duke dhënë detaje mbi investigimin që ka kryer tha se Marnikollaj para se të hynte në komisariat kishte pirë kafe me shokët e tij dhe ishte shumë i qetë, pra nuk kishte ndonjë arsye për të kryer vetëvrasje.
Në komisariat ai u përcoll dhe nga avokati i tij i cili i kishte thënë se nuk kishte pse të shqetësohej pasi ishte një paraqitje rutinë.
“Nuk kemi drejtësi edhe pse kanë kaluar dy vite. I riu lezhjan, para se të shkonte në polici ka takuar shokët e tij ka pirë kafe, i kam takuar këta njerëz dhe më kanë thënë se ai ka qenë shumë i qetë. Është shoqëruar nga vetë avokati i tij për të bërë detyrimin e paraqitjes si një rutinë e zakonshme. Ditët e para të çdo muaj ai duhet të jepte dëshmi në polici. Ai ka qëndruar 51 minuta në komisariat, që kanë qenë minuta tmerri për të.
Jam duke punuar për një dokumentar, me këtë dokumentar vërtetoj se vdekja e Pëllumb Marnikollaj nuk ishte vetëvrasje por vrasje, jam munduar të mbledh dëshmi, kam qenë në Greqi, kam zhvilluar investigimin tim dhe unë vërtetoj se si u vra ai në Athinë. Ka patur dy goditje pas koke, i është çarë koka. Ekspetiza greke nuk bën gjë tjetër vetëm zëdhënësen e policisë.
për t’i ikur të vërtetës duke u munduar të fshehin ngjarjen kanë lënë gjurmë dhe këto gjurmë unë i kam mbledhur. Kanë dashur ta varrosin Marnikollën pa lajmëruar familjen dhe ambasadën, por familjarët e kanë gjertur duke u varrosur në një arkivol më të vogël se trupi i tij.
Familjarët kanë bërë një ekspertizë ligjore të pavarur në Shqipëri e cila është e kundërt me atë që i është bërë në Greqi dhe ka nxjerrë se ka goditje pas koke. Ka pasur djegie me cigare, në shpatull. Si ka mundësi që ai kishte plagë në organet gjenitale për derisa ai është hedhur. Ngjarja ka ndodhur më 3 gusht 2016, policia ka dalë me deklaratë pas 15 ditësh.
Kemi një deklaratë të policisë se Marnikollaj u hodh gjatë kohës që po I bëhej një akuzë e re. Unë kam bërë një investigim me avokatin e tij, avokati i ka thënë se s’ka asnjë lloj problemi me fjalën e avokatit është futur në polici dhe nuk ka dalë më i gjallë, po të ishte e vërtetë për akuzën e re avokati do ia thoshte se është për të mbrojtur klientin.
Ky djalë ka qenë i përgatitur, ka qenë edhe në burg dhe nuk kishte tentuar të vetëvritet. Në dokumentarin tim është edhe ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani I cili ka patur një takim me zëvendësin e Avokatit të Popullit në Greqi dhe aty i është thënë se Pëllumb Marnikollaj ka qenë duke dhënë një deklaratë dhe se e kapi paniku, donte të largohej, dhe u hodh.
Ndërkohë ambasada greke në Tiranë thotë se është hedhur nga kati i katërt, policia nga kati i tretë. Kemi shumë versione për këtë ngjarje”, tha Kalaja.
I pyetur se pse duhej të vritej Pëllumb Marnikollaj, ai u shpreh se kjo mund të ketë ndodhur pasi ai nuk ka pranuar akuza të reja që mund ti jenë ngritur nga policia greke për vepra që nuk i ka kryer.
“Ndoshta është cilësuar si kontigjent krimi. Unë mendoj që sipas informacionit dhe bisedave që kam zhvilluar, mendoj që I janë komunikuar akuza që nuk I ka kryer, dhe nuk I ka pranuar. Kemi patur shqiptarë që I kanë pranuar akuzat për të shpëtuar nga torturat. Ky nuk ka pranuar, ka treguar rezistencë. Në këto momente mund të jetë përballur me 2-3 efektivë policie të cilët ne nuk i dimë emrat po është shumë e thjeshtë për shtetin grek për ti gjetur. Dhuna mund të mos ketë nisur për vrasje po ka përfunduar si e tillë dhe dy goditjet pas koke kanë qenë fatale”, tha Kalaja.
Për drejtësi në lidhje me rastin ai shpreson tek Gjykata e Strasburgut pasi në Greqi provat janë manipuluar sipas tij.
Intervista e plotë:
(B.H/Faxweb)