Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashTe FunditTe Gjitha

Vajza e Mitrush Kutelit reagon për Teatrin Kombëtar: Ditë zie, kazmaxhinjtë e natës dogjën edhe një faqe të kulturës së Tiranës

Vajza e shkrimtarit Mitrush Kuteli ka reaguar pas aksionit të orëve të natës për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Atalanta Pasko shkruan në rrjetet sociale se kjo është një ditë zie dhe se “kaznxhinjtë e natës dogjën edhe një faqe të historisë e kulturës së Tiranës”.

“Ditë zie: Kazmaxhinjtë e natës dogjën edhe një faqe të historisë e kulturës së tiranës.
Do t’iu kujtoja kazmaxhinjve të sotëm – edhe “artistëve kazmaxhinj” peticionistë që kinse duan teatër të ri (do të kishin pasur jo një, por dy e tre teatro ndërsa prisnin të prishet ekzistuesi), do t’iu kujtoja përpjekjet e para 9 vitesh për të mbrojtur Piramidën.

Jam krenare që isha dhe unë në mbrojtje të Piramidës, me logjikën time, dhe jo për hesap të ndokujt. Do të vlente e njëjta logjikë për Teatrin Kombëtar, por ata me sa duket logjika i bezdis dhe e përdorin vetëm kur përkon me interesat e tyre të pashpallura.

Nga shkrimi i asaj kohe kam shtuar vetëm 6-7 fjalët e fundit që duhet të kenë rënë gjatë faqosjes.

NGA PIRAMIDAT TEK PIRAMIDA

21.07 2011 / Në fillim të vitit 1997 në fjalorin ekonomiko-politik të shqiptarëve hyri me tërsëllëm një fjalë e re: fjala piramidë. Atë e shqiptoi së pari Maksude Kadëna, “bosja” e një firme të famshme huamarrëse – e kush s’kishte dëgjuar atëhere për Suden?

Sudja pa shkollë doli një ditë në një dritare të vogël të një apartamenti diku përballë Fushës së Zezë dhe deklaroi falimentimin e aktivitetit të saj duke i vënë për herë të parë emrin “piramidë”. Nga e kishte mësuar Sudja emërtimin me të cilin njiheshin këto aktivitete në botën financiare? Kjo s’u mor vesh as atëhere, as tani, kur kanë kaluar 14 vite.

Pas “piramidës” së Sudes u shembën edhe disa “piramida” të tjera, të ngjashme me të. Njerëzit që deri atëhere u kishin thënë thjesht “firma” (zyrtarisht thirreshin “firma rentiere” ose “firma huamarrëse”), u mësuan shpejt e shpejt me këtë emër të ri, që mbase u tingëllonte dhe disi familjar. Sepse, në fund të fundit, a s’e kishte dhe Tirana një “piramidë” (pothuaj të vërtetë e të pashembur) pranë Bulevardit, në mes të një sheshi ndërmjet Kryeministrisë dhe Lanës? Dhe a s’ia kishin ngjitur ata vetë këtë emër, pa dekret e pa vendime të ardhura së larti, pa bujë e pa ceremoni zyrtare?!

Por jo vetëm kaq. Ata e patën pagëzuar kështu duke shpërfillur dekretin zyrtar ku thuhej se emri i këtij objekti të madh e të ndritshëm do të ishte pak a shumë “Qendra muzeale Enver Hoxha”, apo diçka tjetër e tillë. Kështu, populli i Tiranës e më pas i gjithë Shqipërisë i thanë asaj “Piramidë” e ia vunë këtë emër ilegalisht, duke kryer madje kështu një gjest disidence. Ky emër e ndoqi këtë ndërtesë edhe pas viteve ’90 e pas viteve 2000, edhe kur zyrtarisht iu vu emri “Qendra Ndërkombëtare e Kulturës Pjetër Arbnori”. Kjo do të thotë se emri “Piramidë” ishte gjetur mirë – punë prej populli të mençur, me “referendum” spontan!

Unë i pata bërë bisht vizitës brenda saj sa ishte muze i Enver Hoxhës. Për herë të parë hyra në Piramidë kur u bë një aktivitet pas vitit 1992, kuptohet, në atë kohë atje s’kishte fare shenjë të diktatorit, as të diktaturës. Dhe më pëlqeu shumë-shumë. “Mëkat, mendova, të mbetej kjo gjë e bukur strehë për të himnizuar një njeri që i solli kaq shumë fatkeqësi vendit”.

Siç është konstatuar edhe më parë, populli i Tiranës nuk e ka urryer asnjëherë Piramidën, madje në logjikën e vet as e ka lidhur fare me figurën e diktatorit. Po të kish qenë ndryshe, turma e revoltuar do t’i ishte vërsulur qysh në vitin 1991 kur hodhi përdhe e bëri copë-copë monumentin e sheshit “Skënderbej”. Tiranasit thjesht e donin këtë ndërtesë të çliruar nga hija e Enverit, ndërsa hapësirën jashtë e donin të gjithën për vete.

Tani 70 e dy-tre deputetë firmosin për ta prishur se thonë qenka “simbol” dhe se popullit i dhembkan sytë prej saj, ngaqë i kujtoka komunizmin!

Zotërinj, çlirohuni nga furitë primitive që ju kanë zaptuar dhe hidhni tej logjikën e shkatërrimit. Sepse këtij qëndrimit tuaj unë s’i them dot as “instinkt i shkatërrimit”, pasi instinkti vjen vetvetiu, ndërsa kurdisja kundër Piramidës nuk ka asgjë të tillë. Një ndërtesë, është ndërtesë. Simbolin e bën mendja e njeriut dhe brendia e objektit. Dhe ju siguroj se brendia e Piramidës së Tiranës e ka treguar botërisht që ka përmbajtje “thellësisht demokrate”, duke i shërbyer demokracisë, siç ka ndodhur vite me radhë pas ’92-shit. Ajo madje vazhdon të punojë për demokracinë edhe vetëm me emrin e vet, që siç e thashë më lart, është simbol disidence! Nëse disave iu kujton ende simbolet e komunizmit dhe Enverin, kjo s’ka të bëjë aspak me ndërtesën që jetoi vetëm 2-3 vite si strehë e kujtimit të diktatorit dhe rreth 18 vite si objekt në shërbim të veprimtarive të një shoqërie të lirë. Dhe demokracia s’mund të shpallë më mirë triumfin e saj mbi diktaturën, se sa duke kthyer objektin e projektuar për të himnizuar kujtimin e diktatorit, në një mjedis ku lulëzon kultura e lirisë së njerëzve të lirë.

Sa për “shtëpinë e re” që iu duhet deputetëve si dhuratë Shqipërisë (vetvetes) me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, kjo megjithë mend tejkalon çdo marrëzi e çdo paturpësi.

Sepse ndryshimi i sallës aktuale të Kuvendit tonë nga sallat e parlamenteve të vendeve me një nivel edhe më të lartë ekonomik se vendi ynë, nuk është aq i madh sa ndryshimi i spitaleve të atyre vendeve nga spitalet e vendit tonë; nuk është aq i madh sa ndryshimi i shkollave dhe universiteteve të atyre vendeve nga shkollat dhe universitetet e vendit tonë. Në një kohë kur Shqipëria gërryen trupin e vet me fabrika të shumta çimentoje dhe furra gëlqeresh që thërmojnë malet, ne s’mund ta kemi luksin për pallate të tillë luksozë që s’i kanë as vendet me parametra ekonomikë shumë herë më të lartë se të vendit tonë. Kujt duam t’i shesim mend? Botës? Kjo është thjesht delir madhështie. Ndërsa shqiptarët e varfër as që duan t’ja dinë për maketet të cilëve ju u buzëqeshni, pasi buza e tyre është plasur nga jeta e rëndë.

Nëqoftëse këtë nuk arrini ta shihni, hidhni të paktën sytë brenda sallës aktuale të Kuvendit, ku deputetët votojnë për njëri-tjetrin! Dhe sipas meje kuvendarëve tanë nuk iu mungon salla ku të zhvillojnë funksionin si të zgjedhur, por u mungon diçka tjetër, të cilën s’ka sallë e ndërtesë që mund t’ua plotësojë.

Por në doni vërtet t’i bëni një dhuratë popullit që ju paguan, jepini një ligj të ndershëm zgjedhor, një ligj i cili të ndryshojë nga i deritanishmi, që reflekton synimin tuaj dinak e hileqar: të ndryshoni çdo gjë, me kusht që të mos ndryshojë asgjë. Prandaj, në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë jepini vendit një ligj të drejtë zgjedhor, pasi ai ka nevojë për alternativa dhe i kanë ardhur në majë të hundës zhganet tuaja që i rrijnë përballë si graniti rreth bashkuar, të gjithë tok, ndarë më dysh, me llogarinë e ftohtë “dhe një herë, si përherë”.

Sa për Piramidën, jepni urdhër që ajo të sillet në din, të paktën siç ishte para disa vitesh dhe tërhiquni nga synimi për të pushtuar edhe këtë oaz të qetë buzë bulevardit… Më falni, se harrova: jepni urdhër të hapet sërish e të sistemohet edhe ajo çezma e vogël me ujë Selite, që rridhte dikur aty ditë e natë, se i pëlqente shumë popullit të Tiranës, si demokratëve, ashtu dhe socialistëve dhe atyre që s’janë as demokratë, as socialistë.

Partitë politike firmosën Marrëveshjen për Reformën Zgjedhore. A mendoni se Presidenti Meta duhet të dekretojë një datë zgjedhjesh në tetor të këtij viti?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *