Është rindërtuar nga e para ura që u shemb 2 vite më parë në Genoa e ngritur mbi lumin Polcevera në qendër të qytetit ndërsa mes viktimave që u shënuan si pasojë e ngjarjes ishin edhe 2 shqiptarë.
Ura Morandi, ishte një aks kryesor, duke formuar një seksion jetik të sistemit rrugor që lidh Francën dhe Italinë. Me emrin e inxhinierit të saj, Riçardo Morandi, ura ikonike ishte një themel i arkitekturës italiane kur u hap në vitin 1967.
Ura u shemb më 14 gusht të 2018 dhe shkaktoi shumë dëme materiale dhe viktima, përshirë edhe dy shqiptarë. Hetimi paraprak për shkakun e shembjes, duke u përqëndruar në 71 shërbyes civilë dhe punonjës të autostradës, duhet të përfundonte deri në fund të vitit.
Ndërkohë pas një pune të gjatë ka përfunduar rindërtimi i urës nga Renzo Piano, e cila përmban sensorë dhe robotë që monitorojnë vazhdimisht strukturën dhe kryejnë mirëmbajtje themelore. Energjia sigurohet nga 2,000 panele diellore.
Megjithatë rindërtimi ka ardhur më shpejt se vendosja e drejtësisë. U desh vetëm një vit për të ndërtuar urën e re nga e para, dhe puna ka vazhduar edhe gjatë pandemisë së koronavirusit.