Drejtori i Shëndetit dhe Invacionit në Frankfurt Erion Dasho, në një postim të tij në rrjetet sociale ka kritikuar ashpër qeverinë e cila sipas tij, po përsërit vazhdimisht se rënia e numrit të rasteve lidhet me vaksinimin e qytetarëve me vaksinën kineze.
Sipas Erion Dashos, popullata ka rritur një imunitet grupi duke paguar çmimin tragjik të mbi 9 mijë jetëve të humbura.
”Sot Tirana ka arritur imunitet grupi mbi 60%, kurse pjesa tjetër e vendit rreth 30 deri 50%. Kjo u arrit me “çmimin” tragjik të mbi 9 mijë jetëve njerëzore, çka mund të hetohet edhe si krim kundër shëndetit dhe jetës së shqiptarëve”, shkruan Dasho.
Ndër të tjera ai ka akuzuar qeverinë se po përpiqet të tallet me qytetarët duke e paraqitur situatën si më të stabilizuar për shkak të përdorimit të vaksinës kur në fakt shkak ka qenë imuniteti i arritur.
”Në këto kushte është e qartë si dielli. Rënia e numrit të rasteve nuk po arrihet me ndihmën e vaksinës kineze, por në sajë të imunitetit natyral që është “paguar” me çmimin e jetës së 9 mijë shqiptarëve”, shkruan më tej Erion Dasho.
Postimi i plotë:
NUK ËSHTË VAKSINA, BORAT!!! Duke qenë se Borati dhe boratët kanë vendosur kasetën dhe përsëritin pa u lodhur se situata e COVID-it është duke u përmirësuar në sajë të vaksinës kineze, as edhe ekspertët e vërtetë, jo puthadorë të qeverisë, nuk duhet të rreshtin së përsërituri:
Sot Tirana ka arritur imunitet grupi mbi 60%, kurse pjesa tjetër e vendit rreth 30 deri 50%. Kjo u arrit me “çmimin” tragjik të mbi 9 mijë jetëve njerëzore, çka mund të hetohet edhe si krim kundër shëndetit dhe jetës së shqiptarëve.
Ndërkohë vaksina ka arritur me një dozë më pak se 10% të qytetarëve, me një efektivitet pas dozës së parë rreth 3%. Imuniteti i grupit të nxitur nga vaksina sot është më pak se 0.5% ose 100 herë më i ulët se imuniteti natyral!!!
Në këto kushte është e qartë si dielli. Rënia e numrit të rasteve nuk po arrihet me ndihmën e vaksinës kineze, por në sajë të imunitetit natyral që është “paguar” me çmimin e jetës së 9 mijë shqiptarëve.
Boratë!
Nëse nuk arritët dot të shpëtonit jetët dhe shëndetin e atyre që ua kanë besuar këto, të paktën kursejini talljet dhe demagogjinë…