Ambasadorja e ShBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, përmes një mesazhi në Twitter ka rishpërndarë një paralajmërim të bërë prej saj disa muaj më parë, ku i adresohet kryetarëve të partive politike se do të mbajnë përgjegjësi për kandidaturat që do të caktojnë në zgjedhjet e 25 Prillit.
Për ta përforcuar paralajmërimin e saj, Kim ka shpërndarë fjalën e të nominuarit të Biden për Sekretar Amerikan të Shtetit, Tony Blinken, ku tha se administrate e re kërkon të lartësojë punën në luftimin e korrupsionit.
Postimi në Twitter i ambasadores Yuri Kim: Nëse doni të dini nëse ky paralajmërim mbetet i vlefshëm, kjo është ajo që Tony Blinken, i nominuari i Presidentit Biden për Sekretar i Shtetit, tha në seancën e tij 1/19 para Senatit: “Ne duam të lartësojmë punën në luftimin e korrupsionit”.
Bashkangjitur këtij postimi ambasadorja amerikane në Tiranë ka ripostuar një ‘Twitt’ të 20 korrikut 2020: Paralajmërim/ Ndërsa partitë përgatiten për zgjedhjet, udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën flamurin e tyre. Ju lutemi kontrolloni kandidatët tuaj, mos fyeni votuesit, mos minoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin.