Procesi i numërimit të votave në KZAZ-në numër 23 në qytetin e Durrësit, u pezullua pasi u konstatua një fletëvotimi më shumë në një nga kutitë e votimit, por mësohet se ka rifilluar sërish pas një pauze të shkurtër.
Antëtari i KZAZ-së Aleksandër Ndrejaj, me profesion jurist, u shpreh për FaxNews se pasi kanë konstatuar fletëvotimin e tepërt kanë kërkuar pezullimin e punës dhe kanë njoftuar fillimisht KZAZ-në dhe më pas përmes një e-maili dhe KQZ-në.
Nga ana e KZAZ-së u kërkua që të vijojë numërimi i kutisë problematike, gjë për të cilin avokati thekson se përbën shkelje penale pasi kutia duhet të shpallet e pavlefshme. Ndërkohë që pritet një përgjigje nga KQZ mbi këtë kuti, grupet e punës kanë rënë dakord të vijojnë procesin e numërimit.
“Duke qenë se KZAZ 23 merret me numërimin e votave, anëtarët kanë konstatuar nga procesverbali se kanë votuar 314 shtetas, por nga konstatimi në kuti kanë vërejtur 315 fletëvotimi.
Ndodhur përballë këtij fakti kam kërkuar pezullimin e numërimit dhe kam vendosur në dijeni KZAZ-në e cila vendosi që të vijojë numërimi i kutisë së votimit.
I kam çuar e-mail Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, duke e informuar me të gjitha të dhënat por nuk kam marrë ende një përgjigje.
Kemi një votë më tepër dhe kutia duhet të shpallet e pavlefshme, pasi kemi të bëjmë me një krim të kodit penal nëse vijon numërimi i kësaj kutie”, tha Ndrejaj.