Pas disa javësh të vështira, ka dalë jashtë rrezikut për jetën i riu 31-vjeçar Agostin Sefa që mbeti i plagosur në plazhin e Jalës pasi drejtuesi i gomones Gjergj Pituli humbi drejtimin e mjetit lundrues dhe përplasi pushuesit.
E fejuara e tij, e cila gjithashtu mbeti e lënduar nga incidenti, ka bërë një postim në rrjete sociale duke falënderuar Zotin për mundësinë e dytë që u dha për të jetuar edhe një herë jetën e për të dashur përsëri njëri-tjetrin.
“Faleminderit Zot që pas një sfide shumë të vështirë ne jemi prap bashkë. Na bëre që të jetojmë edhe një herë jetën. Na dhe mundësinë që të duam përsëri njëri-tjetrit. Ishte sfidë shumë e madhe por falë Zotit duart tona janë të bashkuara dhe ne jemi mirë. Zoti është i madh”, shkroi 25-vjeçarja e identifikuar si E.Gj.
Dy të rinjtë nga Tirana, po pushonin në plazhin e Jalës kur u plagosën të shtunën e 16 korrikut. Teksa gjendeshin në breg, një gomone i përplasi duke u shkaktuar dëme në fytyrë dhe trup. Çifti mori fillimisht në spitalin e Himarës, mandej në gjendje të rënduar u transportuan drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Aksidenti ndodhi në një ndër plazhet më të populluara në vend, që nxori në pah mungesën e kontrollove dhe kufizimeve nga ana e policisë ndaj mjeteve lundruese. Pas këtij incidenti, nisën aksionet e policisë për të gjobitur mjetet lundruese në bregdet.