Ambasada e ShBA-ve në Tiranë ka rishpërndarë në rrjete sociale një postim të bërë nga kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli.
Në postim thuhet gjithashtu se ambasada amerikane është krenare për bashkëpunimin me Bashkinë e Vlorës dhe kryebashkiakun Leli.
“Këndet tona Amerikane në të gjithë Shqipërinë përfaqësojnë miqësinë midis SHBA dhe Shqipërisë. Ne jemi shumë krenarë për partneritetin tonë të fortë me Bashkinë e Vlorës. Faleminderit, Kryetari Leli për mbështetjen tuaj. Le të vazhdojmë të ëndërrojmë, të shpërndajmë njohuri dhe të fuqizojmë rininë në 30 vitet e ardhshme dhe më tej, krah për krah!” thuhet në postimin e bërë nga Ambasada e SHBA në Tiranë.
Kujtojmë se në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes ShBA-ve dhe Shqipërisë, krybashkiaku i Vlorës në urimin e tij shkroi se është e rëndësishme që mirënjohja të kujtohet dhe jo vetëm në data të caktuara. Urim ky i cili ka marr përgjigje nga zyrtarët e ambasadës amerikane ditën e sotme.
“Është e rëndësishme që mirënjohja të kujtohet, jo vetëm në data të caktuara, dhe jam i sigurt që me marrëdhënien që kemi ndërtuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, falenderimet nuk shkojnë vetëm në përvjetorë, si sot që bëhen 30 vite nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike. Prej thuajse 20 vitesh, nga tre Këndet Amerikane që ndodhen në Shqipëri, njëri është në Vlorë, në bibliotekën e qytetit. Ambasada Amerikane kujdeset çdo vit ta pasurojë @AmericanCornerVlora me gjithë ç’u nevojitet të rinjve, për t’u zhvilluar në pikëpamjen kulturore dhe teknologjike, dy armë që koha kërkon t’i pasurosh çdo ditë. Çfarë më shumë se nxitja dhe krijimi i mundësive për t’u bërë profesionistë e të pavarur do t’iu duhej të rinjve? Vendi që na ka mësuar të ëndërrojmë, e ka mundësuar këtë hap të zhvillimit prandaj këto janë data që duhet t’i njohin të gjithë. Gëzuar përvjetorin” shkruante Leli.
Kujtojmë se Dritan Leli ka qenë në fokus të debatit publik ditët e fundit pas përjashtimit nga Partia Socialiste për shkak se refuzoi të kandidonte në krah të kryeministrit në Vlorë për zgjedhjet e 25 Prillit.