Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi ka reaguar për sekuestron që i është vendosur ditën e sotme biznesmenit Ylli Ndroqi dhe bën thirrje që të ketë transparencë gjatë hetimeve pasi sipas saj, nund të vihet në rrezik liria e medias.
PD shton se duhet të sqarohet shpejtësia e hetimit prej vetëm 7 ditësh që prej nisjes deri tek paraqitja e kërkesës në gjykatë.
Reagimi i plotë: Partia Demokratike ka ndjekur me vëmendje njoftimin e Prokurorisë së Posaçme për hetimin pasuror ndaj pronarit të grupit mediatik ORA z. Ylli Ndroqi. Duke mbështetur çdo hetim, ndaj cilido, pa asnjë dallim dhe duke nxitur barazinë e plotë përpara ligjit, Partia Demokratike apelon për transparencë të plotë mbi këtë hetim, duke qenë se mund të vihet në rrezik serioz liria e medias.
Pretendimet e avokatëve mbrojtës për një sulm politik ndaj klientit të tyre janë shqetësuese dhe kërkojnë shqyrtim serioz. Shpejtësia e hetimit prej vetëm prej 7 ditësh, nga nisja e hetimit deri në paraqitjen e kërkesës në gjykatë për sekuestrimin e disa mediave, vlen gjithashtu të sqarohet.
Dërgimi i forcave policore për të rrethuar RTV Ora dhe Ora News, duke ushtruar presion psikologjik mbi gazetarët dhe stafin hedh hije të forta dyshimi për mënyrën sesi u veprua, kohën kur u veprua dhe arsyet pse u veprua tani. Partia Demokratike është në mbështetje të plotë të gazetarëve dhe stafit të RTV ORA dhe Ora News, duke i inkurajuar të vijojnë të palëkundur misionin e tyre në shërbim të publikut dhe interesit të qytetarëve.