Unioni i Stomatologëve shqiptarë ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të Aneta Ramës, e cila ka qenë një nga mjeket më të dalluara në fushën e stomatologjisë. USSH shkruan se Aneta Rama pas studimeve në Poloni ka punuar si stomatologe në Vlorë, dhe më pas në qytetin e Tiranës.
Postimi i USSH-së:
Sot u nda nga jeta mjekja stomatologe “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare” Dr.Aneta Rama. Dr.Aneta lindi në qytetin e Vlorës më 1 shtator 1939. Shkollën dhe arsimin e mesëm e mbaroi në qytetin e lindjes me rezultate ekselente.
Dr.Aneta ishte dhe një sportiste e talentuar në katër lloje sportesh. Në vitin 1955 filloi studimet në një nga Universitet më me emer të Polonisë dhe i mbaroi me rezultate te shkelqyera ne vitin 1961. Pasi u diplomua si mjeke stomatologe filloi punë në poliklinikën e qytetit të Vlorës.
Dr.Aneta më vonë ka punuar në kryeqytet duke drejtuar poliklinikën dentare, e Specializuar ne Radiologji e Fizioterapi Stomatologjike. Dr.Aneta është dekoruar me çmime të ndryshme për punë shumë të mirë e rezultate shkencore në shërbimin ndaj qytetarit. Me rastin e 100 vjetorit të Stomatologjisë Vlonjate, Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë i akordoi titullin më të lartë:
“Nderi i Stomatologjisë Shqiptare “në një atmosferë të jashtëzakonshme festive të mbarë dentistrisë. Sot stomatologjia shqiptare humbi një nga ikonat e para të themelimit të këtij shërbimi elitar në vendin tonë. Familja humbi njeriun e saj të dashur nënën, gjyshen e njeriun që do ta kujtojnë tërë jetën. Në emër të Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë i shpreh ngushëllime familjes, miqve e kolegëve të Dr.Anetës.
U prehsh në paqe Dr.Aneta! President i USSH Nikoll Deda