Policia e Tiranës ka vënë në pranga sot një 24 vjeçare e cila kishte fituar shuma të mëdha parash përmes mashtrimit.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasja Mariselda Çela u merrte para bizneseve apo personave të caktuar me premtimin se do u kalonte mallra kontrabandë pa kontroll doganor.
Gjatë hetimeve policia zbuloi se e reja kishte falsifikuar një sërë dokumentesh.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Bribery”. Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Përvetësoi, nëpërmjet mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuara, shuma të konsiderueshme parash, vihet në pranga 24-vjeçarja.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Bribery”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetases:
– Mariselda Çela, 24 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim pasi nëpërmjet mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, me anë të ndikimit të paligjshëm, ka mashtruar persona të ndryshëm, duke iu premtuar kalimin e mallrave në doganë, pa kontroll doganor, kundrejt vlerave monetare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.