Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e shtunë në maternitetin e Fierit. Një grua shtatzënë e moshës 31-vjeçe e identifikuar si Elisabeta Lamaj ka ndërruar jetë pas kryerjes së anestezisë lokale. Elisabeta Lamaj nënë e një vajze 3-vjeçare, ishte në muajin e 9-të të shtatzënisë dhe priste të sillte në jetë një fëmijë të dytë, por fatkeqësisht ka humbur jetën pas kryerjes së anestezisë që do të bënte të mundur intervention.
Fatmirësisht mjekët kanë ndërhyrë duke sjellë në jetë foshnjën e seksit femër e cila është në gjendje të mirë shëndetësore. Sipas prokurorisë Fier pas humbjes së jetës së 31-vjeçares është njoftuar salla operative e policisë Fier.
Burimet bëjnë me dije për ‘Faxweb’ se pas ngjarjes janë njoftuar familjarët, ndërkohë që bashkëshorti i të ndjerës Leonard Lamaj ka bërë kallëzim penal në policinë e Fierit duke akuzuar mjekët për pakujdesi. Sipas dëshmisë së mjekëve shkak i humbjes së jetës së 31-vjeçares ka qënë infarkti akut i miokardit.
Nga ana e policisë janë kryer veprimet procedurale për këtë ngjarje dhe materialet i kanë kaluar prokurorisë së Fierit për vlerësim.
Nga ana e prokurorisë ka nisur hetimi për këtë ngjarje, ndërsa është kryer autopsia e trupit të të ndjerës dhe priten konkluzionet mjeko-ligjore për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes. Edhe drejtoresha e maternitetit Fier është shprehur se do flasim kur të vij përgjigja e autopsisë së të ndjerës.
(R.G/Faxweb.al)