Irfan Domnori 64 vjeç është atleti shqiptar që u dënua me 300 euro gjobë si dhe është dëbuar nga autoritetet e Malit të Zi për shkak se ka valëvitur flamurin shqiptar në Ditën simbolike të Gështenjës në zonën e Krajës.
Lajmi fillimisht u bë i ditur nga mediat e vendit fqinj të cilat përmes komunikatës zyrtare të policisë raportojnë se Domnori është dëbuar nga territori i Malit të Zi për një muaj, ndërkohë që sot atleti ka pasur një komunikim për gazetarët lokalë në Shkodrës.
Ai kërkon që për ngjarjen të ketë një reagim nga shteti shqiptar, pasi rasti është tepër i rëndë, dhe veshja popullore nuk mund të përdoret si mashtrim.
“Në Krajë do të mbahej festa e gështenjave. Fillimisht isha me biçikletë, me flamur e me kostum sportiv. Kur filloi kënga “Xhamadani vija-vija” unë vesha këtë kostum me fustanellë. Dola pastaj në tribunë duke bërë foto dhe video me njerëzit. Ishin shqiptarë që flisnin shqip. Kur u nisa të vij për Shkodër një patrullë policie më mori dokumentet dhe më tha që kisha bërë shkelje. Pasi erdhi një patrullë policie dhe më morëm me vete.
Hipa me ta dhe shkuam në Policinë e Tivarit. Shkova në një zyrë dhe më bëri disa letra. Më tha që do shkoj në Gjykatë se do të dënohem pasi kam ngritur flamurin shqiptar. Unë prej vitesh marr pjesë me fustanellë kombëtare dhe flamur në të gjitha shtetet fqinje dhe askush nuk më ka penalizuar.
Shteti shqiptar duhet të reagojë patjetër për këtë rast. Është tepër e rëndë. Jam i zhgënjyer nga mosreagimi i shtetit shqiptar për këtë incident. S’kam pse të dënohem. Kjo është veshja jonë e mrekullueshme që bota nuk e ka. Nuk ka pse të penalizohem për t’u veshur kështu. Me 27 nëntor jam i ftuar në Ulqin.”, është shprehur ai.