“Jam kontrollore e trafikut ajror që prej vitit 2002. Në datën 6 Prill kam marrë si zakonisht detyrën, për të punuar duhet të jem fizikisht dhe mendërisht në rregull. Në datën 6 pasi nuk isha mirë, tërhoqa formularin por nuk e kam dorëzuar. Në deklaratë kam kërkuar 3-4 ditë rikuperim, më pas formularin e kam dorëzuar të supervizori im”, kjo ishte deklarata e Flora Ndrecës teksa shpjegonte atë që ndodhi në datën 6 Prill në Rinas.
Ndreca u shoqërua menjëherë pas intervistës së saj në emisionin Opinion, ndërsa më pas i është prerë dhe fleta e arrestit, së bashku me dy kontrollorë të tjerë. Ndreca ka dhe një fëmijë të mitur, ç’ka mund ta lehtësojë situatën e saj, dhe të kërkojë një masë më të lehtë sigurie, ndërsa vendimi pritet që të jepet nesër.
Prokuroria kërkoi masën e ndalimit të kontrollorëve Flora Ndreca, Armando Fezga dhe Muhin Mezini, pas paaftësisë së përkohshme dhe pezullimit të fluturimeve dy ditë më parë në Rinas.
Pranë prokurorisë për pezullimin e fluturimeve janë administruar dy kallëzime, njëri i përket referimit të policisë dhe tjetri referimit të Albcontrol.
Në sekuestrimet e deri tanishme në sallën operacionale sqarohet se si u përshkallëzua konflikti. Inspektori i policisë i quajtur Astrit Kurti me shërbim në vend qëndrimin e avionëve kërkoi informacion pranë kontrollorëve ajrore për linjat ajrore të dates 7 prill dhe se kur do të mbërrinte avioni i linjës Athinë-Tiranë. Ky oficer ka zbuluar se ndërkohë një avion i linjës Rinas- Stamboll,nuk ishte nisur dhe kur efektivi kërkoi shpjegime, marshalli i vendqëndrimit të avionëve e ka informuar se ishin në grevë punonjësit e Albkontrollit dhe se ishin në pritje të një konfirmimi.
Nga ana tjetër, Albcontrol në denoncimin e dytë këmbëngul se gjatë pandemisë trafiku ajror ra në 90 perqind dhe për pasojë pati rënie të të ardhurave të Albcontrol sh.a që u reflektuan në zbritjen e pagave. Vendimi për uljen e pagave është marrë në 20 prill 2020 dhe konflikti shpërtheu mbrëmjen e 6 prillit, kur pesë kontrolloret e parë kanë njoftuar shpalljen e paaftësisë nga stresi për tu ndjekur në orët në vijim me të njëjtin arsyetim nga 31 kolegë të tjerë.
(E.K/Faxweb.al)