Nikolin Mane, përfaqësues i një agjensie turistike, në një intervistë për Fax News, ka dhënë detaje për atë që pritet të sjellë ky sezon turistik. Sipas Manes, derimë tani nuk ka pasur një numër të madh rezervimesh për të pushuar brenda apo jashtë vendit, ndërsa shtoi se destinacioni më i preferuar i shqiptarëve vijon që të mbetet Turqia.
Sipas Manes, sa i takon turistëve të huaj që duan të vijnë në Shqipëri, është vënë re një rritje e ndjeshme e atyre serbë, ndikuar kjo dhe nga mbyllja e Greqisë. Sa i takon çmimeve, ai tha se Shqipëria i ka më të ulëta se vendet e tjera të rajonit, dhe janë deri diku të përballueshme prej të gjithëve.
“Duke parë të gjitha statistikat dhe rezervimet që kanë ardhur derimë sot, do të kemi një sezon të vështirë. Ka një numër të ulët si për turistët që duan të vijnë në Shqipëri, por edhe të shqiptarëve që duan të shkojnë jashtë.
Ka një numër të ulët të rezervimeve, kryesisht për në Shqipëri, është destinacioni më i madh që preferohet nga shqiptarët. Në Shqipëri janë vaksinuar më shumë se 50% e popullatës. Turqinë shqiptarët e preferojnë jashtë mase, Greqia është ende e mbyllur, nuk është ende një vend i hapur ku shqiptarët mund të shkojnë.
Vendet e tjera janë Spanja, Maldive, numri është me shifra shumë të ulta.
Jo në të gjitha vendet e jugut faturat janë të kripura, jugu ofron hotele dhe restorante shumë shumë të mirë, që janë çmime të përballueshme për tregun shqiptar. I qëndroj mendimit se nisja e aksionit të shembjeve të ndërtimeve pa leje në bregdet është një hap i pamenduar.
Nga Ukraina ka një kërkesë relativisht të lartë, janë vendosur dhe charter, por ky nuk është një numër që mund të kënaq tregun shqiptar, ka kërkesa nga Polonia, dhe një kërkesë të madhe në rritje nga turistët serbë, që kanë thyer dhe tabutë. Pas mbylljes së Greqisë, serbët po shohin një mundësi të re në bregdetin shqiptar. Një gjë që na ka bërë përshtypje ne si tur operator, është reklamimi i vendit tonë në këto tregje, në mënyrë të dobët.
Nuk besoj se në çmime do të ketë ndryshim nga viti i kaluar, do të jenë të përballueshme nga shqiptarët, ne kemi një kontigjent nga shqiptarët e Kosovës, që po dynden në brigjet tona, po shoh një rritje të numrit të tyre.”, u shpreh Mane.
(E.K/Faxweb.al)