Arsenali është mposhtur 2-1 ndaj Brighton dhe ka zbritur në vend të 10-të të renditjes me vetëm 19 pikë në 15 ndeshje.
Një tjetër humbje e turpshme e Topçinjve, të cilët janë në rënie të lirë edhe pas shkarkimit të Emery.
Kjo është ndeshja e nëntë që Arsenali nuk arrin të marrë një fitore, e pabesueshme.
Që nga minuta e parë Brighton u duk që kishte ardhur për një betejë dhe ishte i barabartë me vendasit. Në minutën e 36’ miqtë gjejnë golin e avantazhit me Webster.
Arsenali mundohet të reagojë dhe pas pushimit gjen golin e barazimit me Lacazette. Futja në fushë e Pepe ka ndryshuar lojën e Topçinjve, sidomos në sulm, por në kërkim të golit të fitores, Arsenali e ka pësuar sërish.
Pas një aksioni të bukur, Brighton ka shënuar golin e avantazhit me Maupay në minutën e 80’. Një gol i merituar i miqve, të cilët kanë luftuar për çdo top duke luajtur pa frikë ndaj një ekipi gjigant si Arsenal.
Vendasit nuk arritën të reagonin dhe duhet të pranojnë përsëri humbjen.