Kosova ka triumfuar me rezultatin 2-3 në transfertën ndaj Bullgarisë, në përballjen e saj të tretë në këtë fushatë kualifikuese të Euro 2020. Një fitore in-extremis dhe si shpërblim i luftës dhe insistimit deri në frymën e fundit, aq e rëndësishme për përfaqësuesen kosovare, që tashmë beson seriozisht se mund të rivalizojë Anglinë kryesuese dhe favorite kryesore të grupit.
Pas raundit të tretë Kosova renditet në vend të tretë në kuotën e 5 pikëve, pas Anglisë me 6 pikë në dy ndeshje dhe Republikës Çeke në të njëjtën kuotë, por me tre ndeshje të luajtura. Kombëtarja e Kosovës lë kështu pas vetes Malin e Zi në kuotën e 2 pikëve, të mposhtur këtë mbrëmje nga Çekia me rezultatin 3-0, si dhe Bullgarinë në të njëjtën kuotë në katër ndeshje.
Jo vetëm kaq, teksa Kosova, njëlloj si Anglia, është e pamposhtur në Grupin A. Përfaqësuesja Kosovare ka vijuar kështu rekordin e saj pozitiv me plot 8 ndeshje kualifikuese pa pësuar humbje, ndërsa në total, kombëtarja më e re nuk njeh disfatë prej 13 ndeshjesh, që nga 09.10.2017 kur mundej nga Islanda me rezultatin 2-0.
Kur kishin kaluar vetëm 14’ minuta nga fillimi i sfidës në stadiumin kombëtar të Bullgarisë “Vasil Levski”, përfaqësuesja e Kosovës ka kaluar në avantazh falë golit të realizuar nga ylli i kombëtares, Milot Rashica. Ky i fundit, sikurse bëri edhe në përballjen ndaj Malit të Zi, në barazimin 1-1, ka kaluar kosovarët në epërsi, pasi finalizoi një krosim në zonë.
Përfaqësuesja e drejtuar nga trajneri Bernard Challandes nuk ka mundur dot të administrojë si duhet epërsinë, duke dorëzuar avantazhin vetëm dy minuta para përfundimit të pjesës së parë. Pikërisht në të 43’ Bullgaria ka barazuar shifrat në 1-1, me golin e realizuar nga Ivelin Popov që ka dërguar në rrjetë një top të ekzekutuar nga jashtë zone.
Vendasit kanë përmbysur gjithçka në të 55’ kur i porsa futuri në lojë, Kristian Dimitrov ka shënuar me kokë golin e tij të parë me përfaqësuesen, vetëm tre ditë pas debutimit të tij me Bullgarinë, 2-1. Gjithsesi përfaqësuesja e Kosovës nuk është dorëzuar, duke gjetur golin e barazimit 2-2, në të 64’ me Muriqi që ka dërguar në rrjetë topin e shërbyer nga Kololli.
Pikërisht kur mendohej se të dyja përfaqësueset do të ndanin nga 1 pikë, Kosova ka gjetur golin e fitores në minutën e tretë shtesë me Rashanin që ka shndërruar në gol atë asist të Rashicës.