Eksperti i qarkullimit rrugor Islam Qibini, në një intervistë për gazetarin e Fax News Fatjon Gjinaj, ka folur mbi aksidentet në rrugët brenda qyteteve, që sipas tij janë pasojë e neglizhencës së strukturave të policisë rrugore.
Duke iu referuar aksidenteve të ndodhura në harkun kohor të pak ditëve në Durrës, Tiranë dhe në Korçë, Qibini kërkoi që policët rrugorë të merren me kundravajtje që janë burim aksidentesh, dhe jo me gjobat e parkimit, apo kontrollet për makinat me xhama të zinj.
“Ka një rritje të ndjeshme të bilancit të aksidenteve, me viktima dhe të plagosur, sa i takon rastit të Durrësit është futje me shpejtësi në kryqëzim, humbje e kontrollit të mjetit, dhe është kryesisht për faj të drejtuesit.
Është aksident në qendër të banuar, ku drejtuesit e mjeteve duhet të qarkullojnë brenda kufijve të lejuar të shpejtësisë, kemi humbje të kontrollit të drejtuese, nuk kontrollojnë vështrimi, dhe ecin me shpejtësi. Komponenti i dytë është që strukturat janë zbehur, që janë përgjegjëse për kontrollin e drejtuesve të mjeteve, duhet të bëhet një analizë e veçantë për të dalë nga kjo gjendje.
Grupet e interesit, strukturat që përgjigjen për këtë, duhet të sensibilizojnë opinionin publik në zbatimin e rregullave, me organikat që janë tani nuk iu përgjigjen aksidenteve. Duhet të kemi radarë, duhet të fokusohen te kundravajtet, dhe jo me parkimin apo xhamat e errëta, që janë dhe burim i aksidenteve të rënda.
Në radhë të parë duhet të edukohen qytetarët mbi rregullat e qarkullimit rrugor, duhet të ketë mbledhje të komitetit ndërministror, që drejtohet nga kryeministri, dhe duhet të lihen detyra dhe objektiva konkrete, iniciativën për këtë duhet ta marrë drejtoria e policisë rrugore, së bashku me ministrinë e arsimit.
Kemi një volum trafiku që bëhet i bezdisshëm, dhe me të kaluar atë drejtuesit e mjetit rrisin shpejtësinë, dhe bëhen më pas burim për aksidentetet. Kohët e fundit kemi një zbehje të masave administrative të policisë rrugore, e kemi thënë disa herë duhet të ndëshkohen ata drejtues mjetesh që janë problematikë, krijojnë zhurma në kryeqytet apo bëjnë parakalime të gabuara.
Kemi një zbehje të policisë rrugore, kryesisht në Tiranë, këto struktura duhet të bëjnë një analizë të thellë që kjo situatë të ndryshoj, punonjësi i trafikut duhet të ketë mbështetje nga stafi drejtues, se në rast se ai nuk ka mbështetjen e duhur, ndërhyrjet e njerëzve zyrtarë, të biznesmenëve, bëjnë që polici të qëndrojë indiferent ndaj këtyre kundravajtjeve”, u shpreh eksperti për Fax News.
(E.K/Faxweb.al)