Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashOpinione&AnalizaTe FunditTe Gjitha

Topalli, të kishte të paktën parimet e Blushit apo Vjosës!

Nga Armand Maho

Jozefina Topalli, është në të drejtën e saj të ngrejë parti, të kërkojë dhe vota të djathta, në një kohë që energjitë e opozitës duhet të përqendrohen te rrëzimi i Rilindjes. Është në të drejtën e saj të bëjë ç’të dojë në një sistem ku rregullat dhe loja janë të barabartë. Por këtu nuk bëhet fjalë për të drejta, këtu bëhet fjalë për moral politik. Natyrshëm lind pyetja përse duhet një tjetër parti, me target elektoratin e djathtë gjashtë muaj para zgjedhjeve?

Zonja Topalli ka marrë gjithçka ka mundur nga ajo parti, për të cilën sot është angazhuar që të humbasë. Sepse, me nismën e saj ajo nuk po dëmton një person të cilin e anatemon prej vitesh, por një forcë politike të cilës i detyrohet jo pak. E ardhur që në vitin 1996, deri në vitin 2017, ajo ka qenë deputete zgjedhje pas zgjedhjesh, për të paktën pesë mandate.

Nënkryetare parlamenti, dhe më pas kryetare e këtij institucioni. Dyert e pushtetit hapeshin për çdo kërkesë të saj, dhe deri këtu, çdo gjë shkonte vaj. Shpërthimi i saj erdhi, fillimisht pas zgjedhjeve brenda në PD dhe më pas mori përmasat e urrejtjes kur pa që ishte lënë jashtë listave të përfaqësimit në vitin 2017.

Shkoi deri atje, duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të PD-së, vetëm dy ditë para nisjes së fushatës elektorale. Njësoj si t’u bënte thirrje mbështetësve të saj të bojkotonin ose votonin kundër PD-së. Që prej asaj dite, target ka qenë kreu i PD Lulzim Basha, madje, shumë më shumë se kryeministri aktual.

Por duke dashur të nxjerrim në pah moralin politik të kësaj lëvizjeje, lipset që të bëhet dhe ndonjë krahasim, që politikës shqiptare nuk i mungojnë. Në vitin 2017, në skenën e të majtës doli dhe një lëvizje politike e ngjashme me atë të zonjës Topalli që tenton të ndryshojë realitetin politik. Ishte ajo e Ben Blushit, ish-kryetar i grupit parlamentar të PS-së.

Ndryshimi me zonjën Topalli, ishte se zoti Blushi e godiste forcën e tij politike kur ajo ishte në kulmin e fuqisë së saj, dhe kur ai gëzonte privilegje dhe ishte pra në pushtet. Madje në shumë raste fjalimet e Blushit, ndiqeshin më shumë se vetë fjalimet e opozitës. Blushi për të paktën dy vjet nga viti 2015, dënoi të gjitha të pabërat e rilindjes, që nga kriminalizimi i parlamentit, droga e të tjera me radhë.

Shprehja e tij se “kur jam në këtë sallë më duket vetja sikur jam në paraburgim”, u bë e famshme. Madje ai për këtë sjellje mori dhe kërcënime nga ish-kryetari i Bashkisë Kavajë, i shkarkuar më pas nga ligji i dekriminalizimit. Për këtë arsye, sallat i mbusheshin plot me socialistë të zhgënjyer, jo si ajo e djeshmja e zonjës Topalli, ku gjysma ishin kameramanë.

Sot, Blushi i është rikthyer zanatit të tij, ka lënë politikën, dhe fundja askush s’mund t’i kërkojë shumë hesap për veprimet e tij. Ose mund të bëjmë një krahasim dhe me Vjosa Osmanin në Kosovë, e cila humbi vendin e saj si kryetare Parlamenti, pasi nuk pajtohej me politikat e partisë së saj. Ajo e dinte fare mirë se çfarë rrezikonte, ama betejën e kishte parimore.

Po zonja Topalli ku ka qenë tetë vjet, gjatë qeverisjes së PD-së. Dhe ajo qeverisje, ka pasur problemet e saj, natyrisht shumë herë më të vogla se qeverisja aktuale, por asnjë s’e vë në dyshim se ka pasur. A e ngriti ajo ndonjëherë zërin parimisht, si numri dy i asaj partie. Për shkak të arrogancës së saj dhe shumë të tjerëve, PD pati jo pak kosto. Sepse, duhet ta themi troç. Në rast se PS do humbasë për shkak të keqqeverisjes, PD në vitin 2013 humbi për shkak të sjelljes.

Zonja Topalli nuk e bëri asnjëherë këtë analizë, nuk e ngriti asnjëherë zërin si pjesë e establishmentit arrogant, të vendimmarrjes pa transparencë ku ajo kishte dhënë një kontribut jo të vogël. Pra, kur je në pushtet dhe me ofiq të lartë, gjithçka është ok. Kur i humbet ato, bëhesh kritizere.

Këtë analizë ajo nuk e bëri dhe pasi humbi pushtetin në vitin 2013, por ka ditur vetëm të kërkojë llogari . Gjithsesi ajo është në të drejtën e saj, të ngrejë parti por për të kërkuar votën e elektoratit të djathtë është shumë vonë. Të paktën të ishte ngritur në lartësinë e Ben Blushit, pra të kish folur atëherë kur duhej.

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *