Kandidati për deputet nga Partia Aleanca Demokracia e Re, Eduard Ndocaj i ftuar në studion e Fax News i ka parë me sy mjaft kritik të tre partitë më të mëdha në vend, ndërsa ka komentuar dhe surprizën e këtyre zgjedhjeve, PSD-në e Tom Doshit.
Ai e ka konsideruar Doshin si një bezdi për 3 ‘të mëdhenjtë’ e politikës shqiptare për shkak të suksesit të tij në politikë, përpos atij në biznes.
I pyetur se çfarë mendon për ‘vrullin’ e kësaj partie në sigurimin e 3 mandateve për Parlamentin e ri të Shqipërisë, Ndocaj tha:
“Zoti Doshi është një personalitet shumëdimensional, familjar i suksesshëm, një biznesmen i suksesshëm, qytetar i suksesshëm dhe demonstroi se është dhe një politikan i suksesshëm.
Shoh dhe vlerësoj se akuzat që i bëhen atij dalin nga gazetarë dhe media, por italianët përdorin një shprehje të veçantë ‘La carta canta’.
Deri më tani nuk ka asnjë dokument të depozituar në prokurorinë e Republikës së Shqipërisë për të provuar ndonjë akuzë, gjithashtu dhe nga Ambasada Amerikane nuk ka asnjë dokument për të provuar se pse është ‘non grata’ dhe se për çfarë akuzohet.
Një qytetar që nuk është i dënuar nga asnjë gjykatë për opinionin tim personal është i pafajshëm. Akuzat janë krahinore dhe bëhen ndaj një personi që ka arritur majat e suksesit.
Sot kemi në një qytetar që ka arritur në majat e karrierës politike dhe është i bezdisshëm për partitë e mëdha dhe sigurisht që do ta sulmojnë. Duhet ta pranojmë që ky person ka qenë 365 ditë i vlefshëm për krahinën e tij, jo si kandidatët e tjerë që kujtohen vetëm 1 muaj në vit”, tha Ndocaj.