Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i ftuar në studion e televizionit FaxNews, ka folur rreth titujve të pronësisë për pronën shtetërore dhe përfituesit sipas ligjit 7501.
Sipas Panaritit, është detyrë e Bashkisë që të ndajë titujt e pronësisë, ndërsa shtoi se një titull pronësie nuk të bën pronar, por është çertifikata e pronësisë ajo që të bën të tillë.
Më tej teksa u ndal tek ligji 7501, ai tha:
“Veriu nuk e njeh ligjin 7501. Ata ndarjen e tokës e kanë bërë në bazë të dokumenteve të vjetra të pronësisë. Të pretendosh se do të ndash tokat në veri me ligjin 7501 është paradoks. Ndaj ne kemi propozuar që të bëhen ndryshime në ligjin për pronësinë”.
Panariti u shpreh se “në bazë të ligjit, nëse dikush ka një tokë bujqësore dhe nuk e përdor, atëherë pronari duhet të paguajë taksë. Mos përdorimi i tokës bën që ajo të degradojë”.
Ai u bëri thirrje autoriteteve dhe Ministrisë së Bujqësisë, që të rishikojë titujt e pronësisë, pasi ajo që figuron në letër nuk figuron me atë që është në terren. Panariti tha se, ka mbivendosje, ka keqmatje etj. e kështu, prona nuk mund të regjistrohet vetëm pse bën presion qeveria, sepse ka problem dokumentacioni.
(B.B/ Faxweb.al)