Gazetarja Rezarta Delisula është tashmë drejtoresha e re e Muzeut të Tiranës. Lajmin e ka bërë të ditur kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj gjatë promovimit të librit “Çfarë ka qenë Tirona” të gazetares Delisula.
Emërimi i saj është mirëpritur nga të pranishmit, që e konsideruan si surprizë ndërsa e shoqëruan me duartrokitje të gjata. Në promovim morën pjesë personalitete të artit në vend, miq të autores si edhe familje të vjetra tironase.
Veliaj e konsideroi Rezarta Delisulën si një tironse të vjetër dhe gazetare e njohur.
Ndërkaq Delisula, që tashmë i është besuar drejtimi i një prej institucioneve më të rëndësishëm të kulturës u shpreh e emocionuar duke treguar edhe detajet mbi librin e dytë të saj.
“Botimi është një guidë mes të shkuarës dhe të tashmes, një liber ku gjendet lehtësisht dashuria për vendlindjen time dhe të të parëve të mi, emocionet deri diku dhe një lloj qëndrimi sepse unë vazhdoj të jem e mahnitur nga Tirona ime.
Ndërsa profesoreshë Nevila Nika një dashamirëse e jashtëzakonshme e kryeqytetit dhe tërësisht kompetente, përsa u takon arkivave më jepte këshilla të herëpashershme dhe kurajo në realizimin e këtij botimi” tha në fjalën e saj Rezarta Delisula.
Libri “Çfarë ka qenë Tirona” vjen si një kontribut për 102 vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet.