Udhëtim në Tiranë!
Nga Arsen Hoxha
Sapo avioni prek pistën e aeroportit ti nuk ke më asnjë dyshim se ke mbërritur në Tiranë. Zëri kumbues i stjuardesës që thërret me të madhe se askush nuk duhet të ngrihet nga ulëset është treguesi më i mirë. Thirrjet e vazhdueshme natyrisht që bien në vesh të shurdhët dhe zërin e saj e mbysin të kërciturat e kapakëve ndarës të valixheve. Nuk kalojnë veç disa sekonda dhe i gjithë korridori mes ulëseve është i bllokuar dhe turma e pasagjerëve është gati të lëshohet drejt shkallëve të avionit. Askush nuk humbet kohë, edhe pse askush nuk po ndjek askënd.
Pa kuptuar ti bëhesh pjesë maratonës dhe ndjek ritmin a bashkëudhëtarëve. Zbret shkallët e avionit me një frymë. Hipja në autobus është pengesa e rradhës. Kërkohet përqëndrim maksimal. Ndërkohë që zbret shkallët sigurohesh që valixhet e dorës janë me ty dhe nuk kanë mbetur në bord. Kjo do të ishte fatale për fatin e maratonës. Me shpejtësi të gjithë rendin drejt autobuzit, mundësisht tek ai i pari në rradhë. Të shtyrat dhe shikimet e rënda janë pjesë e rregullores, ndaj duhen neglizhuar me çdo kusht. E kundërta ka pasoja. Kujdes i veçantë tregohet që të qëndrohet pranë dyerve të autobuzit për të mundësuar një dalje sa më të shpejtë.
Autobuzi i afrohet ballinës së terminalit. Jemi gati…! Dyert hapen dhe një tjetër lëshim drejt kontrollit të pasaportave. Për fat te keq, këtu korsitë janë të ndara. Të huajt fitojnë epërsinë dhe vendasit nxitojnë të fitojnë kohën e humbur. Kur mendon se gjithshka ka mbaruar, e gjen veten në një tjetër betejë, atë të tërheqjes së bagazheve.
Hapësira përreth vend-daljes së bagazheve është plotësisht nën kontrrollin e pasagjerëve. Ata më të zellshmit kanë zënë pozicionet kyçe, duke u siguruar që askush tjetër të mos jetë në gjendje të shohë. Kalon pak dhe makineria e valixheve nis të punojë dhe bagazhet shfaqen në horizont. Të gjitha shtigjet janë të zëna… Pas pak tenton te çash rrethimin. Të lutem…, më fal…, a ka mundësi që edhe unë…, po pse shtyn mo njeri…, vetëm ti je këtu…kush po bërtet, unë thjesht po pres valixhen time!!! E pamundur!!! Pritja është e vetmja rrugëdalje.
Rrethimi çahet dhe ti nis të marrësh frymë lirisht kur sheh se valixhet kanë mbërritur. Tashmë je gati për një qëndrim të shkëlqyer ne mëmëdhe. Sapo lë zonën e mbërritjeve një grup taksistësh të urojnë mirëseardhjen. Nuk ka rrugë tjetër përveçse të përshendetesh me secilin prej tyre. Është vapë… Temperaturat shënojne afro 37 gradë celcius. Ti je në udhëtim prej dy ditësh por ç’rëndësi ka, ke mbërritur në atdhe. Nderkohë që shoqëruesi yt perpiqet të gjej vendndodhjen e makinës në parkim, ti i hutuar kujdesesh tu shpëtosh automjeteve që të vijnë nga të gjitha krahët.
Ashtu si pa kuptuar e gjen veten në makinë, i gjallë. Mezi pret ti drejtohesh Tiranës dhe sapo mendon se po del nga aeroporti kupton se ka edhe një pengesë të fundit. Pyet veten, po ky çdo këtu?! Një punonjës i aeroportit qëndron tek trau dalës për shtypur butonin dhe mundësuar daljen përfundimtare nga aeroporti. Shoqëruesi të sqaron se në mungesë të butonshtypësit, shumë mendojnë se trau është automatik dhe vazhdojnë drejt të pashqetësuar. Thjesht një keqkuptim…! Ndaj autoritetet e aeroportit sigurohen të ofrojnë shërbim sa më lehtësues për udhetarët dhe të eleminojnë humbjet a panevojshme në buxhet.
Rruga që lidh aeroportin me autostradën Tiranë-Durrës qëndron stoike e vazhdon ti rezistojë kohës. Me gjasë autoritetet perkatëse kërkojnë të sfidojnë të gjithë ata që guxojnë të thonë se rruga nuk mund tu bëjë ballë dekadave pa u mirëmbajtur.
Kanë kaluar vetëm pak minuta dhe sytë ti zë një godinë madhështore e stilit barok që qëndron e rëndë në një nga kodrat në krah të autostradës. Ndërsa endesh të kuptosh arsyen pse ajo qëndron aty apo lidhjen arkitekturore të kësaj godine me godinat apo peizazhin përreth, e gjen veten të zhgënjyer përballë paaftësisë tënde për të lexuar apo kuptuar largpamësinë e zhvilluesit të kësaj zone. Shpejt mëson se puna ka ndalur për mungesë fondesh. Më kujtohet kur pronari shfaqej i krekosur në një nga mediat vendase për të folur mbi veçantinë arkitekturore të godinës, madheshtinë e investimit, afresket që vishnin tavanet e salloneve dhe milionat e derdhura. “A little hiccup during the process”, thonë amerikanët.
Ndërsa vijon rrugën drejt kryeqytetit shikon me ëndje godinat shtatlartë që stolisin të dy krahët e autostradës. Dëshmi e gjallë e bumit ekonomik që po përjeton vendi. Për një arsye apo një tjetër duken shumë më të larta e më masive sesa i mbaja mend. Ka një tendencë mbresëlënëse në këtë vend për tu zgjeruar. Nisi me banjot kjo histori ne fillim-vitet 90-të. Njëçik nga aneksi, njëçik nga ballkoni, njëçik nga komshiu dhe ja, banja e ëndrrave.
Një kthesë e gabuar dhe vizita nis në lagjen më të re që i është bashkuar kryeqytetit së fundmi. Yzberishti është realitet arkitekturor që pa asnjë mëdyshje sfidon projektet më ambicioze sot në botë. Diçka e paparë që do të linte gojëhapur edhe më guximtarët e fushës. Një frymëzim që buron nga imagjinatat më të shfrenuara njerzore. Yzberishti mund të jetë një destinacion i përkryer turistik për të zhvilluar imagjinatën, shembulli më i mirë për të bërë diferencën me atë që shihet sot në botën e qytetruar, diferencën mes reales dhe sureales. Të duhet ta shohësh për ta kuptuar, të duhet ta prekësh për ta ndjerë.
Në Tiranë, Bashkia ka menduar të ndërtojë korsi të dedikuara për përdoruesit e biçikletave, duke hequr qafe në këtë mënyrë një pjesë të mirë të parkingjeve krah rrugëve. Ato të mbetura janë të gjitha me pagesë. Tashmë gjithëkush ka mundësi të vizitojë qytetin me makinë pa ndaluar fare. Me një frymë…! Dikur ky nuk ishte një opsion. Përjeton një bllokim të çuditshëm të frymëmarrjes dhe një ndjesi trishtimi sapo futesh në qytet, që me siguri lidhet me mallin për tokën, për rrugët, për rrugicat, kafenetë e preferuara, por mbi të gjitha për njerëzit, njerëzit. Ata janë aty por seç kanë një dëshirë të habitshme për të ikur, për të ikur nga sytë këmbët. E pashpjegueshme!!! Çfarë i mundon këta njerëz?!
Kafenetë janë të gjitha aty, madje më të shumta në numër, më të mëdha e më moderne, edhe ato thellë në lagje. Një shkelqim që të vret sytë! Të gjitha plot si dikur. Asgjë nuk ka ndryshuar. Sa bukur!!!
Diku më në qënder në mbrëmje të hapen syte prej verteti. Bare moderne kudo, makina luksoze që parakalojnë ngadalë përballë tyre, me djem muskulozë në drejtim. E habitshme por secili prej tyre ka të njëjtën formë dhe shikim zhbirilues. Djem e vajza të pashëm kudo. Çdo bar të ngjan me pasarelat më të famshme të Europës ku gjithshka shitet e blihet. Nje Pazar i madh ku të ofrohen të gjitha markat.
Mbase është perceptim i gabuar, por njerzit flasin më pak për politikë. Nëse nuk do shihje mirëqënien që ka kaptuar vendin do të mendoje se këtyre u ka humbur ndjesia e reagimit. Por jo, nuk është kështu. Njerzit bëjnë më shumë plane, plane për të ardhmen. E në plan të parë është Gjermania. Ikin, por jo për të qëndruar, për të marrë eksperiencen më të mirë europiane e për ta vënë në zbatim në atdhe. Levizja e lirë ta jep këtë mundësi.
Të gjithë lexojnë. Lexojnë pa masë në Facebook, Instagram a gjetkë, pa u ndalur. Është arena që i mbledh e bashkon të gjithë. Aty janë të gjithë të barabartë. Ndaj dhe politika, administrata, qeveria e opozita janë të gjithë aty, online. Media dhe qindra portalet që operojnë në botën virtuale kujdesen më së miri që asnjë fjalë, foto apo koment të mos shpetojë pa u vënë re. Madje portalet ofrojnë edhe shërbime ekstra që mundesojnë krejt të kundërtën. Nëse nuk do që diçka të bëhet publike, edhe kjo është e mundur. Mjafton dëshira. Të ofrohet heshtje e plote…!!! Kjo është liria e medias…, e ushtruar në të gjitha format!!!
Gjithshka shijon ndryshe në Tiranë, por asgjë më shumë sesa ushqimi. Ketu prek nje dimension që nuk e gjen ne asnje metropol të botës. Shija e perimeve, e mishit, e frutave, në tërësi e gatimeve tradicionale është marramendëse. Është kaq marramendëse saqë po shndërrohet në rrezik serioz për shëndetin, ate mendor sigurisht. Ndaj njerëzit po kujdesen të eliminojnë produkte të tilla si domatja, kastraveci, pjepri apo shalqiri. Po kujdesen që tu merren mendtë më pak e ta ndjejnë veten më të kthjellët.
Tirana është një qytet plot ngjyra, me theks të veçantë tek grija. Së fundmi i janë shtuar edhe ngjyrat e pankartave masive që rrethojnë sheshet e ndërtimit e që njoftojnë mbërritjen e një godine të re në qytet, shumë godinave të reja ne qytet. Ka një merak të veçantë që askush të mos mbetet i pastrehë. Një ansambël i vërtetë veprash arkitekturore që do ti bëhen peshqesh banorëve të lumtur të kryeqytetit. Sa me fat janë ata!!! Çdo godinë tashmë është konceptuar me gjelbërim në çdo kat, ballkon a dritare. Kopje e eksperiencave më të mira europiane a botërore. Duket qartë që ka një vëmendje të veçantë për të shtuar sipërfaqet e gjelberuara, krahas betonit të bollshëm që mbizotëron në qytet. Ndaj çdo rrugë të shfaqet e shqyer, përkohësisht natyrisht. E ku ka më bukur!!!! Edhe vetë shtëpia kryeministrore në periferi ka zgjedhur një ndërthurje të tillë. Betoni në vetëvete por edhe simbolika që ai përfaqëson është e lidhur pashmangshmërisht me historinë e popullit tonë.
Në mbrëmje, dikush vritet në një nga lagjet periferike të qytetit. Asgjë për tu shqetësuar…! Raportimet e para bëjnë të ditur se personi i vrarë është kontingjent kriminal. Me shumë gjasë njësia më e re antikrim e ngritur nga Policia e Shtetit është vënë në lëvizje. Frytet e para janë të dukshme. Rrugët po pastrohen. Gjithshka është nën kontrroll. Edhe në parlament e në qeverisje vendore mbizotëron e njëjta frymë. Pastrim, lustrim, veting, llogaridhënie. Të gjithë do të përgjigjen për zullumet e tyre. Ora e gjykimit ka ardhur!!!
Është vonë. Përpara se të mbyllësh sytë zakoni e do ti hedhësh një sy Facebook-ut. Një seri postimesh të zyrtarëve të qeverisë lokale e qëndrore qe i bejne “share” udhëheqësve të tyre mbushin murin e llogarisë tënde. E kanë nga mirënjohja për ta.
“Tirana, e dënuar të shndërrohet në parajsën e re krijuese të Europës”. E thotë edhe “New York Times”.
Flini të qetë! Gjumë të ëmbël!!!