Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca iu ka bërë thirrje të rinjve shqiptarë që të dalin dhe të votojnë në zgjedhjet e 25 Prillit, pasi sipas tij zgjedhjet nuk janë vetëm një e drejtë, por edhe përgjegjësi.
Soreca tha se të rinjtë vetëm përmes votës së tyre mund të bëjnë diferencën, dhe mund të jenë ata që vendosin për veten dhe vendin e tyre.
“Të rinjve dua t’u jap një mesazh që e kam thënë dhe më parë, por dua që ta përsëris. Këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë, por edhe më të rëndësishme janë këto zgjedhje për ju që rrini në Shqipëri. Unë ftoj të rinjtë të dalin dhe të votojnë, pasi kjo është edhe një përgjegjësi, përveçse një e drejtë. Hidhni votën në kutinë e votimit, se vetëm kështu do të bëni diferencën. Mos e shpenzoni kot këtë të drejte që ju keni. “Ti vendos””, tha Soreca.
Soreca i bëri këto deklarata pas një vizite që pati në Universitetin Bujqësor të Kamzës, ku Bashkimin Europian ka dhënë ndihmë në avancimin e disa programeve.
Ambasadori tha se pati kënaqësinë që të shihte se fondet e BE-së janë administruar në mënyrë të drejtë.
(E.K/Faxweb.al)