Të tjera detaje zbulohen lidhur me skandalin e mosfunksionimit të radarëve në det. Ditën e sotme, Balkanweb ka publikuar një raport që Qendra e Menaxhimit të pamjeve ia ka dërguar ish-ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, 24 orë pas publikimit të lajmit për mosfunksionimin e radarëve.
Në raportin sekret të Qendrës shkruhet se performanca e radarëve ka pësuar rënie, ndaj zbulimi i mjeteve lundruese nën shtatë metra bëhet i vështirë dhe në kushtet e motit të keq, radarët nuk filmojnë asgjë.
“Pavarësisht mbajtjes në gatishmëri të Sistemit të Vëzhgimit të Hapësirës Detare (SIVHD), sipas ekspertëve me kalimin e viteve performanca e radarëve ka pësuar rënie. Për arsye objektive në varësi të kushteve klimaterike apo lartësive të dallgëve të detit, nganjëherë zbulimi/vëzhgimi i objekteve të vogla lundruese (sidomos nën 7 metër) bëhet i vështirë. Ideja apo pretendimi për të zbuluar njerëzit nga sistemi është thjesht absurditet”, thuhet në raport.
Ndër të tjera, Qendra e Menaxhimit të pamjeve e pranon se radari në Ksamil ka qenë jashtë gatishmërie prej më shumë se një vit.
“Aktualisht përveç Sistemit të Vëzhgimit të Hapësirës Detare janë në funksion edhe dy radarë të administruar nga Policia Kufitare dhe Migracionit; njëri ne Hoxharë dhe tjetri në Ksamil. Këto radarë nuk janë të integruar, pasi i përkasin një gjenerate më të vjetër.
Si rezultat Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) nuk merr pamje nga këto radarë, por vetëm nga njësitë e Policisë Kufitare dhe Migracionit, që shërbejnë atje. Radari i Ksamilit ka qenë jashtë gatishmërisë nga data 18 prill 2016 deri më datë 24 maj 2017”, thuhet në raportin dërguar ish-ministres.
Nga ana tjetër, në raport thuhet gjithashtu që sistemi nuk siguron mbulim të të gjithë hapësirës detare. (D.D/Shuplaka)