Kreu i emergjencave civile Haki Çako është shprehur se ende nuk mund t’i jepet një vlerë përfundimtare dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 21 shtatorit.
Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë,ku po diskutohet “Projektligji për buxhetin 2020”,Çako u shpreh se qytetarët që kanë patur shqetësime nuk janë lënë në harresë.
Pas tërmetit të 21 shtatorit,emergjencat civile kanë nisur ndërhyrjen në 233 objekte që kanë pësuar dëmtime në Shijak dhe Durrës.Ndërkohë në Korçë janë duke u përfunduar të gjitha banesat e dëmtuara,39 për rindërtim dhe 37 për rikonstruktim.
Çako u shpreh se po bëhet gati një projektligj për sigurimin e detyrueshem nga fatkeqësitë natyrore të ndërtesave për banim,sidomos pallatet e reja.
Tërmeti i 21 shtatorit ishte i shkallës 5.8 ballë dhe me epiqendër në detin Adriatik.
Lëkundjet u ndjenë në Durrës dhe në Tiranë duke shkaktuar edhe dëme materiale,fatmirësisht pa të lënduar.
Tërmeti shkaktoi një valë paniku mes njerëzve dhe shumë prej tyre lanë shtëpitë në orë të vona të natës si pasojë e lajmeve të publikuara në rrjetet sociale.