Steven Zhang, i shoqëruar nga Marotta dhe Antonello, do të jetë sot në ‘Pinetina’ për të biseduar me ekipin për shkurtimin e pagave, një veprim i domosdoshëm për Interin që po përballet me vështirësi serioze ekonomike. Tashmë është pranuar shprehimisht nga presidenti zikaltër se duhet nisur një politikë kursimi dhe kufizimi të kostove (nga 10 deri në 20%).
Shmangia e pagimit të rreth 35 milionë eurove bruto nga tani deri në fund të sezonit do të ishte jashtëzakonisht e përshtatshme për një buxhet të dërrmuar nga mbyllja e stadiumeve, veçanërisht pasi ‘Suning’ nuk ka arritur ende ta mbyllë huanë maksimale prej 250-270 milionë euro, që do të lejonte për të përmbushur të gjitha likujdimet e sezonit 2020-21 dhe për të caktuar sezonin e ardhshëm.
Sidoqoftë, dhoma e zhveshjes zikaltër nuk dëshiron as të dëgjojë për shkurtime pagash, sepse që nga qershori i kaluar, kur rinisi futbolli pas bllokimit të pandemisë, ka luajtur praktikisht çdo tri ditë, pothuajse pa marrë pushime verore dhe Krishtlindjesh. Po kështu, kjo kërkesë shkurtimesh të pagave vjen pas fitimit të titullit. E përkthyer: të gjithë do të prisnin një shpërblim të mëtejshëm kolektiv për triumfin, por në vend të kësaj propozohet ndërhyrja “me gërshërë”…
Lojtarët duhet të heqin dorë nga pagat e dy muajve, të nënshkruajnë shkurtime thelbësore për t’u regjistruar në sezonin 2021-22 dhe më pas të arrijnë marrëveshje private për t’i rikuperuar këto para në të ardhmen. Modeli është ai i përdorur nga Juventusi dhe Roma. Të dyja klubet, të listuara në bursë, në pranverën e vitit 2020 njoftuan “ngrirjen” e pagave të 4 muajve për lojtarët e tyre, të cilët, megjithatë, kanë rikuperuar ose do të rikuperojnë një pjesë të mirë të këtyre parave.
Meqenëse Handanovic dhe shokët e tij të skuadrës nuk dëshirojnë të dëgjojnë për humbjen të asnjë euro, ka të ngjarë që shumë të mos japin dritën jeshile për t’u “ngrirë” pagat e dy muajve në vazhdim, me premtimin se do t’i marrin në të ardhmen, kur të ardhurat të rriten falë rihapjes së stadiumeve…